Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sot gjatë kësaj konference për media theksoi se zhvillimi dhe implementimi i politikave të favorshme bujqësore janë prioritet i tij si udhëheqës i këtij dikasteri të rëndësishëm për zhvillim ekonomik të vendit
Ai gjatë konferencës ka folur edhe për gjendjen në të cilën e ka gjetur këtë dikaster, duke theksuar se është dashur të përballej me 40 milionë euro obligime të trashëguara nga qeveria e kaluar në kategorinë e subvencioneve.
“Kam arritur që për një periudhë të shkurtër të adresoj edhe të gjeturat e Auditorit për Ministrinë, si dhe të shumë problemeve tjera që kam gjetur në këtë dikaster.
Me vendosjen e ligjshmërisë brenda institucionit, rritjes së nivelit të qeverisjes, uljes së keqpërdorimeve, eleminimin e obligimeve karshi fermerëve dhe krijimit të një imazhi të ri e pozitiv për Ministrinë, kam mundësuar përpos që ky vit të jetë viti me përkrahjen më të madhe financiare, gjithashtu edhe të rrisim buxhetin për 11 milionë euro për vitin 2022”, ka thënë Peci.
Ai më tej tha se ka mundësuar që për vitin 2022 buxheti për kategorinë e granteve dhe subvencione do të arrijë shifrën prej 60 milionë euro, ndërsa shpalljet e programeve përkatëse do të shpallen gjithmonë në fillim-vit.