Opinion

Rreth një interviste të shkëlqyeshme

02/13/2020 18:17
nga:Rrahman Paçarizi

Shkruan: Rrahman Paçarizi

Intervista e mbrëmshme e Albin Kurtit në Rubikon KTV te gazetari Adriatik Kelmendi ishte një nga intervistat më të mira e më përmbajtjesore që kam pa kohët e fundit.

Mendoj kështu qoftë për elaborimet e kujdesshmedhe të sakta të kryeministrit Albin Kurti, qoftë për qasjen profesionale dhe me etikë të lartë të zhvilluar nga gazetari Adriatik Kelmendi.

Në të vërtetë, intervista e mbrëmshme ishte me milimetra brend kornizave profesionale dhe krejt në pajtim me udhëzuesit e gazetarisë për mënyrën e të intervistuarit.

“Përballja” e mbrëmshme ishte e një niveli të lartë dhe qoftë z. Kurti, qoftë z. Kelmendi ishin në nivelin më të lartë të detyrës dhe fort të përqendruar në kryerjen e punëve përkatëse.

Z. Kurti qoftë si opozitar, qoftë garues në zgjedhje, qoftë si favorit në zgjedhje e qoftë edhe si kryeministër është intervistuar edhe herë të tjera.

Intervistat, e deritashme kanë qenë kryesisht mjaft të mira. Pse zgjodha të shkruaj për këtë intervistë, ndonëse u mundova të mos shkruaj gjatë gjithë ditës, është zhurma e madhe që u bë rreth saj.

U tha se Adriatiku e gozhdoi, u tha se Albini e mundi, u tha se Adriatiku nuk ia bëri askujt si Kurtit etj etj. Në të vërtetë, në këtë intervistë nuk kishte humbës, por kishte fitues – shikuesit. A ishte Adriatiku opozitë? Po ishte. Dhe, ashtu duhet të jenë gazetarët – opozitë e secilit.

Sigurisht se militantët e opozitës janë ndier të lumtur se Adriatiku “e gozhdoi’ Albinin, e militantët e VV-së, për një moment e panë Adriatikun si pjesë të opozitës, duke bërë thirrje madje që bashkë me qeverinë duhet të ndërrohen edhe gazetarët e editorët.

Kjo është e rrezikshme, jo për punë krijimi të frymës që do t’i rrezikonte gazetarët, por për mungesën e plotë të edukimit medial që mbizotëron te ne.

E, kur zyrtarë partish akuzojnë gazetarët rreziku është i madh, pasi ndjekësit e tyre mund të mos e kenë kujdesin dhe vetëdijen e duhur…

Pasuesve të tij të ngutshëm, kryeministri Kurti në fakt ua dha përgjigjen që në fillim, duke iu drejtuar gazetarit Kelmendi : “Faleminderit që ma dhatë mundësinë”. Pra, inervista, sado sfiduese të jetë, ajo është një mundësi. Gazetari i mirë është mundësi edhe më e mirë, e gazetari i shkëlqyeshëm është mundësi e shkëlqyeshme. Natyrisht, jo gjithkush i bën ballë një gazetari të kalibrit të Adriatikut – duhet më qenë Albin me i ndejtë përballë. Adriatik Kelmendi është i tillë, sfidues me secilin kryeministër, me secilin president, por është gazetar.

Jam optimist, në fakt, pasi ndonëe të pakta reagimet e gazetarëve, kolegë të Adriatikut ishin shumë profesionale dhe domethënë.

Më erdhi mirë, kur gazetari tjetër Berat Buzhala iu drejtua militantëve të ngutshëm të partive në pushtet, se “duhen me e ditë që tash mediet nuk munden me vazhdu me u marrë edhe më tutje me opozitën. Tash pushteti gjykohet. Kanë ndërru rolet. Do t’i krahasojmë deklaratat e tyre, do t’i gjykojmë punët e tyre”. Po, pra.

E linçimet e gazetareve jane te rrezikshme për lirinë e shprehjes, siç thuhet edhe ne reagimin e kryetares se AGK, Gentiana Begolli.

Tash, shkalla e demokracisë së një vendi matet me medien e lirë dhe cilësore. Pushtetarë: cilësia e qeverisjes suaj do të matet edhe më trajtimin e medies dhe të gazetarëve.

Këtë mbajeni mend!