Opinion

Rreth flamujve të përçarë

02/12/2018 09:41
nga:Xhemal Ahmeti

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Ata që refuzojnë flamurin e shtetit të Kosovës nesër do ta refuzojnë edhe këtë kuqeziun, dykrerëshin, këtë historikun. Sillen në këtë formë ngase simbolet i hyjnizojnë apo përbaltin të motivuar nga politikat ditore, stereotipet dhe instant agresioneve grupore e individuale e jo se duan njërin apo tjetrin. Janë njerëz që shejnën e bëjnë fiksim negativ apo pozitiv pa reflektuar mbi origjinën, përmbajtjen, historinë dhe çmimin e simbolit.

Dizajni i flamurit të Kosovës mund të diskutohet deri në pafundësi. Do të ishte vizatuar ndoshta ndryshe pa ndërhyrjen e atyre ndërkombëtarëve që ndihmuan çlirimin e Kosovës nga serbët. Domethënë ai është kështu siç është edhe si shenjë respekti ndaj aleatëve pa të cilët nuk çlirohej e nuk mbrohet dot ky vend.

Republika e Kosovës u bë shtet në vete, jo shtet i gjithë shqiptarëve, as pjesë e Republikës dhe shtetit të sotëm të Shqipërisë. Ajo as që kishte të drejtë të çojë ndonjë flamur panshqiptar si shtetërorin e saj – pavarësisht se në luftën e saj morën pjesë nga gjitha pjesët e hartës etnike shqiptare. Kosova sot është njëri nga shtetet me shumicë absolute shqiptare me flamur të vetë shtetëror. Ndërkaq si flamur të saj etnokulturor vazhdon ta ketë atë me të cilin identifikohen shqiptarët e gjithë botës sot e për mot. Natyrisht përveç Prizrenit ku krahas atij shtetërorit valon edhe ai kombëtari turk.

Prandaj aversioni dhe reagimet, kundërshtitë ndaj flamurit të shtetit kosovar nuk pranohen dot si dashuri ndaj flamurit shqiptar por si urrejtje ndaj shtetit kosovar. Kuqeziu është pretekst, alibi, maskë, është pëlhura me të cilin sokullohen ata që u pengojnë të dy flamujt. Plotë nga kjo kategori shihet se nuk e bëjnë madje me vetëdije, por veprimet i kanë të nxitura nga ata që ideologjikisht i manipulojnë pa e ditur këta se me cilin tabor rreshtohen – me gjithë ata që i pengon shteti i Kosovës.

Ja le të pyesim; kush luftoi për “Republikën e Kosovës” që pas të 60-ve e deri në çlirimin e saj? Pse për Republikën e jo për “Shqipërinë e bashkuar nga cepi në cep”? Sepse jo e gjithë “shqiptaria” ishte e robëruar nga serbët por vetëm pjesët nën ish-Jugosllavi e Kosova i printe luftës shqiptare për çlirimin nga serbët dhe ish Jugosllavia e jo gjithë shqiptarët e botës? Sa vetë u vranë duke mbrojtur kufijtë e kësaj Kosove siç është sot? Spastrimi etnik i cili çoi në shtetbërjen e Kosovës ku ndodhi, nga Gjakova e deri në Kukës e Tetovë apo brenda vetëm këtij territori që sot ka shteti i Kosovës?

Pyetje të kësaj natyre mund të bëjmë pa u ndalë me ditë e me muaj, mirëpo vetëm një përgjigje të vetme do ta merrnim: shteti i Kosovës është rezultat i dëshirës, vullnetit, luftës ndër gjenerata të njerëzve të saj për të qenë shtet në vete. Jo komb kulturor në vete, por shtet në vete, republikë në vete. Do ta bënte edhe por të ishte brenda Shqipërisë së Enver Hoxhës – për këtë jam i bindur se pretendoj t’i njohë kosovarët mirë. Kjo Republikë, ky shtet ka sot një flamur të kaltër që imiton fytyrën e BE-së. Atje edhe donë të instalohet. Bashkë me shtetin tjetër kombëtar shqiptar – Shqipërinë. Bashkë edhe me shqiptarët tjerë të kudogjendur se besojnë se aty do të bashkohen më në fund njëherë e mirë. Iluzion? S’ka rëndësi, strategji legjitime është. Pse mos ka ndonjë parti a ideologji tru e forcë për më mirë?

Debati që u hap tash rreth heqjes së flamurit kosovar nuk më duket asfare i rastësishëm. Dikush hoqi apo manifeston urrejtje ndaj flamurit të shtetit të Kosovës mu në prag dhjetë vjetorit të po këtij shteti. Kjo kategori refuzon simbolin e asaj historie, përpjekjeve dhe arritjeve të atyre gjeneratave, viktimave, që luftuan për këtë ideal – idealin e kosovarëve për shtet. Këtë edhe duan ta festojnë ata këtyre ditëve e jo ndonjë festë që bie në kundërshtim me ndonjë aspekt të kombit kulturor shqiptar.

Për mua heqja e flamurit të shtetit është demonstrim i dëshirës për të mos ekzistuar ai. Arsyetimet me qeverira e politika tjera ditore janë teatër fëmijësh, janë maska e atyre që kanë gjetur flamurin kuq e zi si alibi për të mos i gjuajtur me gurr sapo t’i kuptojnë masat mirë se për çka në të vërtetë e kanë. Siç thamë shumica e akterëve të kësaj loje e bëjnë pa menduar thellë, vetëm ideologët, serbët, rusët, sllovakët, rumunët besojnë ta dinë mirë se pse shteti i Kosovës s’duhet të jetë. Pavarësisht se me ç’ flamuri!

05/10/2018 10:53

Asimetria e gjysmëhënës shiite