Sporti

Rrëfimi i veçantë i Edon Zhegrovës për mediumin e madh zviceran

12/03/2019 23:50
nga:Lorik J

Deri në moshën 12-vjeçare Edon Zhegrova luante me top në rrugët e Prishtinës. Pastaj ai shkoi për një provë stërvitore te Milani.

Dhe që prej asaj kohe është krahasuar me një futbollist të madh, shkruan mediumi zviceran “Blick”.

Java fillon me një zhgënjim për Edon Zhegrovën. Në vend se të udhëtojë me Baselin në ndeshjen e Ligës së Evropës në Krasnodar, atij i duhet të qëndroj në Bazel.

Sepse rusët nuk e njohin Kosovën, 20-vjeçarit do t’i ishte dashur të udhëtojë në Beograd për të aplikuar për vizë. “Unë nuk doja. Ju e dini situatën”, thotë Zhegrova.

Ai nuk e përjetoi vetë luftën, prindërit e tij u larguan nga vendlindja para se ai të lindte. Edoni është lindur më 1999-n në Herford të Gjermanisë, dy vite pas përfundimit të luftës familja e tij kthehet në Prishtinë. Deri në moshën 12-vjeçare, talenti luajti në rrugë. “Askush nuk të thotë se çfarë të bësh, kështu që mund të driblosh sa të duash, je tërësisht i lirë”, ishte shprehur ai.

Dhe ky është pikërisht problemi ekzistues sot. Apo siç e thotë trajneri i Kosovës, Bernard Challandes: “në futbollin modern, lojtarët gjithashtu kanë edhe detyra mbrojtëse. Dyshja e Liverpoolit, Salah dhe Mane punojnë edhe prapa. Zhegrova është në një rrugë shumë të mirë”.

Në aspektin sulmues, nuk ka asnjë dyshim për nivelin e tij. Kundër Young Boysit, Zhegrova i kalon lojtarët kundërshtarë sikur shtyllat e sllallomit, e fiton ndeshjen me një gol dhe me një asistim.

Që prej shkurtit të 2019-s, Zhegrova është te Baseli, si në pjesën e dytë të edicionit të kaluar, ashtu edhe në fillim të këtij edicioni, ai kryesisht është ulur në bankinë.

“Nuk ishte e lehtë për të në fillim, por ai ka treguar durim dhe tani po shpërblehet, thotë Challandes.

Zhegrova është i integruar më mirë në skuadër dhe e zgjedh vendimin e duhur në fushë. Ishte e rëndësishme që ai të mbetet modest dhe të mos marrë krye.

Nuk është kurrë e lehtë kur krahasohesh me yje të mëdhenj qysh në moshë të re. “Messi kosovar”, e quajnë Zhegrovën në atdhe sepse ai ishte lejuar të stërvit me Milanin në moshën 12-vjeçare. Ai ka ardhur në Basel nga Genku. Klubi zviceran e ka të drejtën e blerjes së super-dribluesit, së paku pas paraqitjes ndaj Young Boysit kjo gjë është e dukshme.

Zhegrova doli në skenë falë FC Prishtinës

Edon Zhegrova është prodhim i futbollit të Kosovës. Në vitin 2011 ai doli në skenë falë klubit FC Prishtina. Zhegrova në atë kohë si 12 vjeçar, ishte zgjedhur në kampin e organizuar në Kosovë të quajtur “ Milan Junior Camp”.

“E patëm organizuar një kamp që njihej si ‘Milan Junior Camp’ me Franco Baresin. Trajnerët e klubit më thënë se është një djalosh i talentuar. Unë e propozova, por Zhegorva u vonua në stërvitje dhe nuk kishte veshje sportive dhe ata më thanë se do ta marrim pas gjashtë muajve.

Zhegovra fillojë që qajë pasi që donte ta hynte në atë grup. E luta një nga prindërit duke ia marrë fanellën dhe e futa në kamp në mesin e 300 futbollistëve. Në fund trajnerët e Milanit më thanë ruajeni se ai është pasuri kombëtare”, ka deklaruar kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, muaj më parë.

Karriera e Zhegrovës më pas është zhvilluar në Belgjikë ku nga Prishtina u transferua në Standart Liege, Saint Truiden dhe Genk para se të transferohet në Basel.