Lajme

Rrëfehet 34-vjeçari që vrau kunatën: Nuk më dëgjonte fjalën

01/10/2020 21:33
nga:Gazeta Blic

Pak orë pas krimit të rëndë, zbardhet dëshmia e Erdet Çapokut, i cili akuzohet se vrau nusen e vëllait të tij, 30-vjeçaren Enkeleda Çapoku.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 23:40, në Paskuqan. Në gjendje të rënduar psikologjike, Çapoku pohoi se ishte penduar për vrasjen.

“Jam penduar për vrasjen. Nuk duhet ta kisha bërë. Isha i nxehur dhe doja të nxirrja dufin. Me kunatën kam pasur mosmarrëveshje gjithmonë. Ajo nuk më respektonte dhe nuk më dëgjonte. Pasi u përlesha me të, e pashë që po i dilte shumë gjak nga koka dhe ika. U fsheha tek shtëpia e kushëririt në Laprakë derisa erdhi policia. Shtëpia ishte bosh pasi kushëriri jetonte jashte vendit”, – tha ai.

Erdet Çapoku hyri dhunshëm në banesën e kunatës së tij, ku ajo jetonte bashkë me vajzën e saj 18 vjeçe dhe nënën ndërsa bashkëshorti ndodhet në burg i dënuar për trafik droge. Kunati e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën, dhe duke i bërë fotografi në çdo moment. Fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes.

Tronditet Tirana: Zbardhet skena e krimit, kunati i dehur shkallmoi derën, vrau kunatën, i dhunoi nënën dhe vajzën

Gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës. Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që ai mbrëmë të futet në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.