Lajme

Rrahje mes punëtorëve në Mensën e Studentëve – një i lënduar dërgohet në QKUK, tre të arrestuar

12/11/2025 11:31
nga:G B

Një rrahje ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në ora 09:30, në mes punëtorëve të Mensës së Studentëve.

Gazeta Blic merr vesh se punëtori N.B është dërguar në QKUK si pasojë e lëndimeve trupore, madje se është therur me thikë.

Lidhur me rastin, për Gazeta Blic janë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Enis Pllana, zëdhënës i Policisë në rajonin e Prishtinës, tha se tre persona janë arrestuar, ndërsa 1 i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

“Sot rreth orës 09:30 është pranuar informata për një rrahje në progres në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes  dhe ka shoqëruar 3 persona të cilët ishin të përfshirë në rast. Nga informacionet e para dyshohet që një person ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, tha Pllana.

Gazeta Blic ka kontaktuar me të lënduarin N.B, mirëpo është përgjigjur djali i tij, i cili e ka mohuar këtë, duke thënë “është arritur marrëveshja, ka përfunduar gjithçka”.

“Nuk e di sa është i saktë informacioni, nëse bën pak më vonë deklaratën. S’është e vërtetë kjo bash”, tha ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, Gazeta Blic ka kontaktuar drejtorin e Mensës së Studentëve, Fahri Osmani, i cili mohoi të ketë pasur therje apo rrahje, derisa gjithë rastin e quajti mosmarrëveshje.

Për personin e lënduar, punëtor të kësaj mense, i cili është në QKUK për tretman mjekësor, tha se ka shkuar për shkak të gjendjes emocionale.

Ai deklaroi se nuk dinte për të arrestuar, derisa Policia kishte konfirmuar një gjë të tillë.

/Gazeta Blic/