Lajme

Rrahën kushërinët për një copë tokë

01/12/2018 11:04
nga:A B

Në gjykimin për rrahjen mes kushërinjve, të akuzuarit thanë se familjet e tyre janë pajtuar.

Në gjykimin e Naser e Avni Hashanit rreth një sherri që nisi për një parcelë toke, të akuzuarit që mes vete janë kushërinj thanë se tanimë i kanë përmirësuar marrëdhëniet andaj deklaruan se duan të mbrohen në heshtje.

Megjithëse thanë se tashmë familjet janë pajtuar dhe i kanë përmirësuar raportet me njëri-tjetrin ata deklaruan se mbesin pranë deklaratave të tyre të mëhershme të dhëna në polici dhe prokurori.

Më pas prokurori Ilaz Beqiri në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se tërhiqet nga ndjekja penale për të akuzuarin Naser Hashani, pasi që sipas prokurorisë në veprimet e tij nuk manifestohen elemente të veprës penale.

“Tërhiqem nga ndjekja penale kundër të pandehurit Naser Hashani duke vlerësuar se në veprimet e tij nuk manifestohen elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar ngase me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor u vërtetua se i njëjti veproi në mbrojtje të nevojshme”, tha prokurori Beqiri.

Beqiri më pas u tërhoq edhe nga ndjekja penale e Naser Hashanit për armëmbajtje pa leje për shkak të amnistisë së vitit 2013.

“Tërhiqem nga ndjekja penale edhe për këtë vepër pasi që kryesit e kësaj vepre penale janë amnistuar me ligjin për amnisti”, tha prokurori Beqiri.

E në lidhje me të akuzuarin Avni Hashani, ai deklaroi se e ka bërë ricilësimin juridik të veprës penale dhe tanimë atë e akuzon për veprën penale lëndim i rëndë në tentativë.

“Bëj ndryshimin e dispozitivit sa i përket veprimeve inkriminuese për të pandehurin Avni Hashani në atë mënyrë që tanimë të njëjtin e akuzoj për veprën penale lëndimi i rëndë në tentativë, në pjesën ku përshkruhen veprimet inkriminuese të të njëjtit heq fjalët “me dashje që ta provon nga jeta” dhe në vend të tyre shtoj fjalët “me dashje që të i shkaktoj lëndime të rënda trupore”, tha prokurori gjatë fjalës së tij përfundimtare.

Sipas prokurorit edhe pse me anë të ekspertizës është vërtetuar që Avni Hashani i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore Naser Hashanit, dashja ka qenë që t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore, andaj ai kërkoi nga gjykata që Avni Hashanin ta shpallë fajtor dhe të njëjtin ta dënojë sipas ligjit.

Pas ndryshimit të rrethanave mbrojtja e Avni Hashanit, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi kërkoi që të shtyhej seanca me qëllim që të përgatiteshin për fjalën përfundimtare.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues kështu që seanca e radhës u caktua me datën 30 janar.

Të akuzuar për këtë rast kishin qenë edhe Shaban e Besart Hashani por në seancën e shqyrtimit fillestar prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, në nëntor të vitit 2012 në Fshatin Palaj në Komunën e Obiliqit në afërsi të lumit “Sitnica”, Avni e Besart Hashani duke qenë në raporte të përkeqësuara me kushërinjtë e tyre për shkak të kontestit për një parcelë toke, pasi kanë shkuar në vendin ku gjendej prona kontestuese të cilën po e lëronin Shaban e Naser Hashani, ka nisur grindja dhe përleshja fizike në mes tyre.

Në aktakuzë thuhet se Besart Hashani involvohet në rrahje dhe e sulmon fizikisht Naser Hashanin, ndërkaq që i pandehuri Avni Hashani nxjerr thikën me gjatësi rreth 15 centimetra dhe me dashje që t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore e godet Naser Hashanin në hundë duke e rrëzuar në tokë, por qëllimi i tij nuk realizohet pasi i pandehuri Shaban Hashani i del në ndihmë babait të tij Naserit dhe me mjet të fortë, dana të ujit, e godet fillimisht Avni Hashanin në kokë, e më pas edhe Besartin në fytyrë, të cilëve u shkakton lëndime të lehta trupore.

Tutje në aktakuzë thuhet se Naser Hashani më pas ka nxjerrë revolen dhe në afërsi prej dy metrash me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë një herë me armë në drejtim të të pandehurit Avni Hashani, të cilin e ka goditur në këmbën e majtë, mbi gju duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me pretendimin se Naser e Avni Hashani janë përgjegjës për këto veprime, ata prokuroria i akuzonte për vrasje në tentativë, ndërsa Naser Hashani akuzohej edhe për kryerjen e veprës penale të armëmbajtjes pa leje, por me ndryshimin e aktakuzës të cilin e bëri prokurori vendosi që të akuzuarin Naser Hashani ta lirojë nga akuzat kurse për të akuzuarin tjetër Avni Hashani e ndryshoi cilësimin e veprës penale nga vrasje në tentativë në lëndim të rëndë në tentativë.

01/12/2018 22:02

‘Tarkani’ shkon në Polici, thotë se po kërcënohet