Sporti

Roma përkrah mjekët, bileta falas për ta

03/29/2020 15:25
nga:Lorik J

Klubi i Romës del përkrah mjekëve dhe ndërmerr një nismë të veçantë për të shprehur mirënjohjen ndaj tyre në këtë luftë të ashpër ndaj coronavirusit.

Nëpërmjet fondacionit ‘Roma Cares’, klubi verdhekuq vendosi që ndeshjen e parë me tifozë që do të luhet në Olimpico t’ua dedikojë pikërisht mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të kësaj lufte duke rrezikuar jo pak shëndetin e tyre nga Covid-19.

Mësohet se Roma do të vërë në dispozicion të tyre deri në 5000 bileta falas, ndërkohë që një pjesë e të ardhurave që do të sigurohen nga stadiumi do të shkojë për spitalin Spallanzani. Po kështu klubi roman do të studiojë tarifa speciale me vlerë të reduktuar për punonjësit e shëndetësisë për sezonin e ardhshëm.

Përvec kësaj, presidenti i Romës, Pallotta dhuroi edhe 25 mijë Euro të tjerë në fushatën e klubit, ndërkohë që më parë kishte dhënë 50 mijë euro për ndërmarrjen e kësaj nisme.
Por Roma kujdeset edhe për tifozët e saj sidomos ata që janë të moshuar. Futbollistët e kësaj skuadre vendosën të dërgojnë pako me ushqime dhe mallrat më të domosdoshme te abonentët më të vjetër në moshë që janë të mbyllur në banesat e tyre prej kohësh për shkak të coronavirusit.