Gazeta spanjolle Sport raporton se Roma e Claudio Ranierit do t’i kërkojë Real Madridit huazimin e sulmuesit të ri Endrick në janar.
Giallorossët po kalojnë një sezon të vështirë dhe tashmë kanë ndërruar tre trajnerë, pasi shkarkuan Daniele Rossin dhe më pas Ivan Juriçin.
Ranieri, i cili u kthye nga pensioni, ka nevojë për përforcime për të ndihmuar Artem Dovbyk, i cili po tregon shenja lodhjeje në sulm.
Sipas Sport, disa klube janë të interesuara për të marrë Endrick në janar, dhe Roma është në krye të listës.
Sulmuesi brazilian është vetëm 18 vjeç, por Real Madridi pagoi 50 milionë euro plus bonuse për ta blerë nga Palmeiras gjatë verës.
Endrick ka zhvilluar vetëm 10 paraqitje zyrtare për Real Madridin, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asist, pavarësisht se ka luajtur vetëm 122 minuta në total.
Një huazim në janar mund t’i japë Endrick mundësinë të fitojë më shumë përvojë dhe të përshtatet me lojën evropiane.
Kandidatët e tjerë të mundshëm për të siguruar huazimin e tij janë Southampton dhe Real Valladolid.