Lajme

Rihapja e kufijve: Austria kërkon test negativ ose karantinim për udhëtarët nga disa vende të Ballkanit

07/08/2020 15:26
nga:Y I

Austria ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për disa vende të Ballkanit, pasi shumë njerëz nga rajoni që kanë kaluar në kufirin austriak janw testuar pozitiv me Covid.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha sot në një konferencë për media se paralajmërimet janë për Bullgarinë, Rumaninë dhe Moldavinë.

Në bazë të paralajmërimeve, kushdo që hyn në Austri nga një prej këtyre vendeve duhet të tregojë testin negativ për koronavirus ose do të izolohet për 14 ditë.

Qeveria austriake tha gjithashtu se do të rrisë kontrollet edhe në vendkalimet kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë.

Njoftimi vjen një ditë pasi Ministria e Jashtme e Rumanisë tha se 99 shtetas rumunë dolën pozitivë në testet për koronavirus në qytetin austriak të Lincit. Shumica e atyre me teste pozitive ishin punëtorë migrantë.

Më 1 korrik, Austria ka lëshuar gjithashtu një paralajmërim të ngjashëm udhëtimi edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, Austria ka konfirmuar mbi 18,000 raste me koronavirus. Prej tyre, 706 kanë vdekur dhe mbi 16,700 janë shëruar.