Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se mbrojtja e të drejtave të njeriut përveçse është obligim kushtetues, është edhe instrument parandalues kundër korrupsionit.
Rezniqi këtë e tha në podcastin e realizuar nga “Betimi për Drejtësi” në të cilin u diskutua lidhur me raportin e publikuar nga IKD me titullin “Korrupsioni si shkelje e të drejtave të njeriut”.
Sipas Rezniqit, në ketë situatë, korrupsioni përveç se i shkel të drejtat e njeriut, në të njëjtën kohë shkelja e të drejtave të njeriut e fuqizon korrupsionin.
“Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përveç që është një e drejtë kushtetuese, në të njëjtën kohë është edhe një instrument parandalues kundër korrupsionit”, tha ajo.
Përpara kësaj, Rezniqi tha se e kanë konsideruar se në ndërlidhjen e korrupsionit me të drejtat e njeriut është edhe kufizimi i kundërligjshëm i disa të drejtave të caktuara.
“Zakonisht e shohim në atë formë që arsyetohet me çështje të sigurisë publike, ruajtjes së interesit shtetëror, ku forma se si vjen tek kufizimi paraqitet formalisht si e ligjshme, por në thelb është një metodë që përdoret për me e reduktu hapësirën demokratike dhe të njëjtën kohë me e mundësu korrupsionin në prapaskenë. Në momentin kur kufizohen të drejta të caktume qoftë në aspekt të qasjes në dokumente publike, në informata, në punën e mediave apo shoqërisë civile, thjesht nuk është një tërësi që shtrihet vetëm në rrafshin e shkeljes së të drejtave të njeriut por më tutje është edhe një formë e tërthortë e fshehjes së korrupsionit ose mundësimit të korrupsionit”, u shpreh Rezniqi.


