Lajme

Rezervat shtetërore të miellit ruhen në depon e një zyrtari të PDK-së

03/19/2020 19:31
nga:E Sh

Shteti ka zgjedhur që rezervën shtetërore të miellit ta ruajë në depon e një zyrtari të Partisë Demokratike të Kosovës.

Vendimi që kjo të bëhet në depon e Muhamet Selmanit, zyrtar dhe ish-asamblist i kësaj partie në Prishtinë, u mor nga Qeveria e kaluar, raporton KOHA.

Bazuar në informacionet që posedon KOHA, Selmani u përzgjodh që të ruajë këtë rezervë për 5 vjet dhe për një vit ai paguhet 25 mijë euro.

Kohavisioni e di se ku është vendndodhja e depos ku ruhet mielli i Kosovës, por për shkak se një gjë e tillë konsiderohet sekret shtetëror, që është e përcaktuar me Ligjin për rezervën shtetërore, konkretisht nenin 9 të tij, nuk do të zbulojmë detaje të tjera.

Sidoqoftë, vetë Selmani, që është pronar i “Barileva SHPK”, e ka mohuar një gjë të tillë.

I kontaktuar nga KOHA, ai ka thënë se ai mund të flasë vetëm për mullirin e tij dhe kapacitetin individual për të prodhuar miell.

Ai i ka referuar televizionit që pyetjet t’i drejtojë tek ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, pasi rezerva shtetërore menaxhohet nga Ministria që ajo udhëheq.

Në përgjigjen e Qeverisë bëhet e ditur se tash e një javë Ministria e Ekonomisë veçse e ka hartuar planin strategjik për rezervat shtetërore dhe atë ia ka dorëzuar Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Në bazë të këtij plani depot e rezervave shtetërore janë furnizuar deri në kapacitetet e plota të tyre.

“Përzgjedhja e depove ku ruhen rezervat shtetërore bëhet nga Departamenti për Rezerva Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike sipas procedurave dhe rregullave të prokurimit publik”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Përveç miellit, Kosova ka rezerva edhe të produkteve të tjera bazike.

Bazuar në të dhënat e dërguara nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të rezervave janë edhe prodhimet themelore bujqësore, duke përfshirë mishin e prodhime të tjera të qumështit.

Gjithashtu ka rezerva edhe të prodhimeve joushqimore, si: materiale riprodhuese, naftë dhe derivate të saj, barna, material sanitar dhe mjete mjekësore-veterinare të domosdoshme për transport-bartje të mallrave me interes të posaçëm për mbrojtje të shtetit.

Në kuadër të rezervave, sipas Qeverisë, janë edhe mjetet monetare, e bazuar në buxhetin e këtij viti Kosova ka rezervë në nivel qendror 9 milionë e 880 mijë euro.

Kurse 34 milionë euro të tjera figurojnë për nivelin komunal, por këto mjete parashihen të përdoren për paga nëse hyn në fuqi Ligji i pagave, i cili aktualisht është i pezulluar.

Të fundit që bëjnë pjesë në rezervat shtetërore janë edhe makineritë, si dhe pajisje të tjera për intervenime emergjente.

03/16/2020 11:52

Panikë për miell: Qytetarë të shumtë presin tek mulliri në Xërxe