Cult

Rexhep Hoti dërgon në Ulqin programin për nxënës dhe studentë

11/05/2018 13:38
nga:FL.B

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri, janë pritur në takim nga Kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiq me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të të rinjve mes dy vendeve.

Hoti ka prezantuar para Nrekiqit Programin Nacional për Rininë si dhe Programin Ndërshtetëror për Rininë duke thënë se këto programe janë për të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat, njofton Klan Kosova.

“Programi Nacional për Rininë mund të adaptohet për implementim edhe nga shkollat në Ulqin, por, po ashtu, mund të bashkëpunojmë në nivelin republikan apo atë ndërshtetëror”, tha Hoti.

Nga ana e tij, Nrekiq ka falënderuar Hotin për vizitën dhe për gatishmërinë për bashkëpunim.

“Ulqini ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Kosovën andaj jam shumë i lumtur dhe falënderues që sot keni sjellë një program për nxënësit dhe studentët. Komuna e Ulqinit është e hapur për bashkëpunime të këtij lloji që janë për të mirën e të rinjve tanë”, u shpreh Nrekiq.

Në fund të takimit, Hoti i dhuroi kompletin e Programit Nacional për Rininë.