Opinion

Revolta e kunjave

07/01/2018 12:37
nga:Leonard Komani

Shkruan: Leonard Komani

“Drita” e Gjilanit u kualifikua për në “Ligën e Kampionëve”. Lajm fantastik pas gjithë atyre shqiponjave. Poashtu nga Gjilani mirëpo një lajm tjetër ua prishi pak dasmën si duket njerëzve: Motoçikletat e ardhura si ndihmë nga Turqia janë pa shala. E ku të ulen postierët në “kungj” a? Asgjë më bukur se këto dy lajme (qoftë njeri edhe i imagjinuar) nuk përshkruajnë gjendjen e shoqërisë kosovare. Pse?

“Drita” e Gjilanit u fut në “Ligën e kampionëve”. Ky lajm vulosi, jo për më shumë kumti u bë kurora e një jave euforike panshqiptare, e cila shpërtheu me shqipet hakmarrëse të Xhakës, Shaqirit, Edi Ramës, Papës, Stipe Mesiçit, “bushmenëve” dhe mumieve faraonike, të cilat qenkan balsamuar duke ua lidhur duart formëshqipeje mbi gjoks. Për serbët, euforia që zgjati gati dy javë, doli të jetë edhe më e rëndë se bombardimi nga NATO. Gjithë shpresojnë që kjo traumë e radhës mos zgjat poaq sa zgjatin rëndom humbjet e tyre të shumta në shekullin që shkoi dhe këtë që është.

Po kujt i intereson fqinji kur bën dasëm shtëpia?

Suksesi i “Drita”-s, respektivisht festimi i saj që nga qytetari më i thjeshtë e deri tek funksionari më i lartë i shtetit, përçon edhe një mesazh tjetër të rëndësishëm që lidhet me divergjencat brendashqiptare: “jo vetëm shqiptarët e formuar jashtë munden, por edhe ata brenda, madje edhe më furishëm sapo ta kapin një mundësi.” Drita e dëshmoi këtë. Në sport. Se në kulturë dhe segmente tjera kjo gjë është dëshmuar moti: Depërtimi i shqiptarëve të formuar brenda del të jetë poaq bombastik sa i atyre të rritur jashtë.
Pas këtij konstatimi shpresëshpëndarës natyrisht se pesimistët do na thonë: “Pse jemi atëherë më të varfrit e botës? Pse me shkollat më të këqija të planetit? Pse jemi më të korruptuarit e kontinentit?”. Vaji dhe ankesat nuk kanë fund dhe të gjitha janë të drejta këto brenda që shoqërojnë jetën e shtetasve të Republikës së Kosovës.

Lajmi i dytë që poashtu erdhi nga gjilanasit e facebookut është përshkruesi më i bukur i kësaj gjendjeje mentale e shpirtërore i shoqërisë shqiptare dhe ai ka këtë përmbajtje: “Motoçikletat që na erdhën si ndihmë nga Turqia shumë bukur, por postierët duhet të rrinë në këmbë nëse duan t’i përdorin ngase nuk kanë shalë ku mund të ulesh, por vetëm një …”! Atë hekurin ku mund të instalohej shala e pagëzuan me kunjin, me ato të tipit me të cilët zbukuroi Prishtinën njëra nga partitë e shumta të Kosovës.
Këto dy lajme janë vektorët e suksesit dhe dështimit të shqiptarëve në shekullin 21; energjia dhe fuqia nga brenda e njerëzve dhe mizëria e elitave politike që i bllokojnë dhe sjellin vetëm “kungja” nga jashtë.

*
Sigurisht se jo vetëm ata që pyesin kështu e dinë adresën e përgjegjësisë, por të gjithë, i madh e i vogël dhe në vesh na trumbeton ulërima: partitë, politika, pushtetet! Sikur gjitha këto t’i kishte sjellë dikush nga ndonjë planet tjetër dhe t’i kishte instaluar aty me dhunë. Këta që vetëm kunja fabrikojnë dhe asgjë tjetër. Dhe më së paku gjilanasit kanë të drejtë të ankohen në këtë drejtim, se janë terreni ku shpërndarësit e kunjave, ose “kungjave” siç i quajnë vetë, jo vetëm nga hekuri, por edhe nga fryma janë më masivët dhe më të suksesshmit.

Gjilani është nga qytetet që i pari ia ka nisur në shumëçka sa i përket dashurisë dhe flirtit me shtete e kasta të jashtme jogjithaq të shëndetshme për funksionimin e demokracisë kosovare. Shtetet nuk ndihmojnë pa interes. E interesi i Turqisë të këtij formati erdoganesk ka interesat më të tejdukshmet e mundshme: të ndikojë në historinë dhe politikën e vendeve ku investon. E dëmshme kjo dashuri kaq intensive me Erdoganin është për masat, shtetin, progresin dhe ardhmërinë e vendit, por ai nuk është i dëmshëm për klanet politike – askush nuk e beson politikanin ballkanas që thotë se e donë lirinë dhe demokracinë më shumë se pushtetin dhe kontrollin që ia mëson kolegu nga Bosfori. Nuk i beson se po të ishte vërtet idealist i lirisë, pluralizmit, demokracisë liberale nuk do t’i hidhnin në rërë 53 milionë euro; nuk do t’ia rrisnin pagat vetit deri në pamasë, por do të blinin motoçikleta për postierët, pasi t’i kishin ndërruar rrugët pa i vjedhur më shumë se gjysma e fondeve për vete – të gjitha partitë bashkë!

Erdogani dhe Turqia bëjnë punën e vetë. Dhe kjo “fatvë” kundër tij duhet të ndalet se u banalizua. Me dhunë ai nuk shtyn kë të marrë motoçikleta (nuk na intereson si fakt ky rast por më shumë si metaforë ngase i prijnë realitetit faktik), as të ndërtojë xhamitë, as rrugët. Diskursi agresiv vetëm rreth personit të tij vetëm se e ndihmon që të jetë edhe më lugat edhe më prezent në piskën e shqiptarëve. Ai e shfrytëzon varfërinë e një vendi që de fakto nuk është i varfër, por i kapur nga korrupsioni që paret për mirëqenien e shtetit i vjedh. Këta janë problemi i Kosovës, jo Erdogani dhe motoçikletat pa shalë e me kungja prej hekuri të ndryshkur.

Politika nuk ndryshohet, kriminelët nuk arrestohen duke fyer e mallkuar ndonjë që nuk e kap ligji yt, por duke mos i votuar ata që bëhen shërbëtorë sistemesh autokrate, diktaturash e lloj-lloj ndikimesh kryesisht negative.

Me këtë duam të themi se përfaqësuesit politikë i kemi kështu për arsye se jemi korruptuar si shoqëri para tyre vetë. Nuk ka rëndësi se a vetëm me një thasë miell, me ca motoçikleta me kunja, me ca minare apo me diçka tjetër – në parim është e njëjta. Edhe shumicat janë të korruptueshme saherë u del një “plaçkë” para syve. Dhe politikanët nuk u ngjiten diktatorëve – pse nuk shkojnë me Putinin – që s’kanë autoritet në masat e tyre, por atyre që besojnë se i kanë idhuj dhe nëpërmjet tyre duan të pasurojnë edhe aurën e tyre të gërvishtur.
Në mos në çdonjërin prej nesh fshihet një minitiran i vogël?

Se në shumicën e çdonjërave në shoqërinë tonë e gjenë aq të lehtë të korruptueshmin, për këtë s’besoj të ketë dilema askush.

08/18/2018 19:05

Një medaljon lufte për çdo kosovar!