Lajme

Reuters: Shefi i CIA-s i kërkoi Kurtit kujdes në çështjen e hapjes së Urës së Ibrit

10/24/2024 22:08
nga:Sh R

Vizita e shefit të CIA’s, William Burns, dy muaj më parë u rikthye serish sot në vëmendje të mediave ndërkombëtare.

Zyrtarët perëndimorë e kanë paralajmëruar kryeministri e Kosovës, Albin Kurti se hapja mund të shkaktojë dhunë etnike dhe të rrezikojë trupat e NATO-s të vendosura atje.

Siç ka raportuar sot agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në burime shefi i CIA’s i cili erdhi në Kosovë në kohën kur po flitej për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, citohet t’i ketë kërkuar Kurtit kujdes në çështjen e hapjes së kësaj ure.

“Ne jemi të vendosur kundër një shtytjeje të njëanshme për të hapur urën”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Reuters. “Ne nuk duam të rrezikojmë ndonjë lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it.”

Kurti ndërkaq ka thënë se rihapja e urës do të bashkojë një komunitet të ndarë.

Në një intervistë ai tha se Beogradi dëshironte ta mbante urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti .

Pas shumë paralajmërimeve për hapjen e Urës por edhe vërejtjet e faktorit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka kohë që nuk e ka përmendur hapjen e urës.