Opinion

Respekt, Izet Demaj

12/28/2018 13:57
nga:Blerim Gashani

Shumica dërmuese e banorëve të këtij planeti, kanë parë pamjet e tmerrshme të sulmeve terroriste në Kullat Binjake, në Nju Jork, më 11 shtator 2001. Ka qindra pamje të zëna nga dhjetëra lloje kamerash, që kanë kapur momentet dramatike kur aeroplanët përplasen në ndërtesa, nga ku shpërndahet pluhuri, zjarri e paniku. Kamerat tregojnë se nën një kaos të lemerishëm, njerëzit e tmerruar po largoheshin nga sheshi afër kullave.

Por, kamerat kanë përjetësuar edhe diçka tjetër, diçka monumentale. Derisa të gjithë njerëzit po largoheshin nga aty, policët po shkonin në drejtimin e kundërt. Ndërsa gjithë të tjerët po largoheshin nga goditja, nga tymi, nga zjarri, nga kaosi, pamjet tregojnë qindra policë që vrapojnë e hyjnë në tym, në blozë, në zjarr, në kaos, në ferr (kur u shembën kullat, mes viktimave, ishin edhe 71 zyrtarë policorë).

Dhe, kjo meriton respekt!

Sigurisht e mbani mend, pak vjet pas lufte, kishte një avari të madhe në elektranën B të KEK-ut. Unë punoja me policinë në atë kohë, ishim në ndërrimin e dytë, të mbrëmjes, dhe kur gati po përfundonim për atë ditë, na lajmëruan për avarinë. Natyrisht, në ato raste, policia nuk ka orar. Vrapuam së pari në ndërtesën e komunës – dikush na tha se atje duhet t’i merrnim maskat e gazit, të cilat dukej se po nevojiteshin shumë. Rryma ishte ndalur, ishte në terr total dhe ne ngjitnim dhe zbritnim shkallët e ndërtesës me ndihmën e baterive të policëve, derisa ngarkuam plot një veturë me gaz-maska dhe u nisëm për Obiliq.

Prishtina ishte në terr, asgjë nuk pipëtinte, njerëzit po përgatiteshin të binin në gjumë. Mund të mallkonin e të shanin për ndaljen e rrymës, por mund të tërhiqnin batanijen dhe të shtriheshin. Qyteti po binte në gjumë. Por jo policia. Ata duhej të niseshin për Obiliq, aty ku u takuam me qindra njësi tjera, që tashmë kishin përfunduar turnin, me ata që sapo kishin filluar, me ata që ishin thirrur të vinin urgjent dhe me ata që po vinin edhepse nuk ishin thirrur. Aty kam parë së pari – dhe pastaj me qindra herë të tjera – një situatë kur të gjithë shikojnë punët e veta, ndërsa polici duhet të përballet me disa punë që janë të të gjithëve.

Prandaj…

A e keni parë kur plas një zjarr dhe të gjithë njerëzit ikin nga aty. Mirëpo, jo policët. Ata shkojnë në drejtim të kundërt. Të tjerët po i largohen zjarrit, policët po i afrohen, shumë kohë edhe para zjarrfikësve.

A e keni parë kur ndodh një tërmet dhe njerëzit ikin të hallakatur e të tmerruar. Ndërtesat po shemben dhe zemrat po dridhen. Të tjerët po largohen, ndërsa policët duhet të qëndrojnë.

A e keni parë furinë e vërshimeve. Uji i tërbuar po merr gjithçka përpara, po prish rrugë, po shemb ura e po shkatërron ndërtesa. Të gjithë, të alarmuar po ikin me shpejtësi, vetëm policia duhet të ndalet. Policët duhet t’i qëndrojnë forcës së natyrës, t’i ndihmojnë dikujt, ta shpëtojnë dikënd, të udhëzojnë, të sinjalizojnë, të lajmërojnë për gjendjen dhe për masat tjera që duhet të merren.

A e keni parë se kur një i çmendur po gjuan me armë zjarri diku në një shesh, në një qendër tregtare apo në një shkollë, të gjithë njerëzit e kanë për detyrë të largohen sa më parë dhe sa më shpejt nga aty. Por jo policët. Ata duhet të afrohen te i çmenduri, te i dhunshmi, te krimineli, te terroristi. Ne mund të ikim të lemeritur, por polici – edhe në qoftë i frikësuar e i tmerruar sikur ne – duhet të qëndrojë. Duhet të përballet!

Gjatë kohës sa kam punuar me policinë, në qindra mëngjese të akullta, kam parë policë që po nisen për t’u përballur me njerëz, të cilët ne nuk kemi qejf as t’i shohim kurrë, as të kemi kurrë punë me ta.

Në një nga këto mëngjese të hershme, derisa të gjithë po flinin rehat, bashkë me policinë tonë shkuam ta arrestojmë një telashexhi. Nga përvoja kam mësuar se ka telashexhi që paraqiten si të tillë dhe janë “kingja” dhe ka telashexhi tamam. Ky, i asaj dite, ishte i grupit të dytë. As një sekondë nuk kaloi nga krisma e derës, që specialët e shpërthyen, kur u dëgjuan krismat e mprehta të armës së zjarrit. Kur filluan krismat, unë dhe shoku im – që nuk ishim policë – kërcyem pas murit, u strukëm dhe ikëm. Por jo policët. Pasi njeri nga ta ishte plagosur, njësia speciale ktheu zjarrin. Nuk e teproi, telashexhia u neutralizua duke u plagosur lehtë dhe gjithçka u qetësua.

Mirëpo, në ato sekonda, kur unë po ulja kokën pas qoshit, ku isha strukur, pashë se policët duhej t’i afroheshin telashexhisë që po mundohej t’i vriste. Në ato çaste, unë mund ta shikoja punën time, por jo policët. Ata kishin një detyrë, e cila kërkon dhe meriton respekt.

Sot, gjithë respekti im është për një njeri të mirë, për një polic të ndershëm, për një njeri të Kosovës, që u vra duke e kryer detyrën e tij. Detyrën e shenjtë në luftën e së mirës kundër së keqes, të drejtës kundër të ligës.

Izet Demaj, respekt!

Respekt!