Lajme

Reshitaj: Komunat të largojnë deponitë ilegale të mbeturinave

04/20/2018 16:08
nga:A. R.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Albena Reshitaj, i është bashkuar edhe sot aksionit për pastrimin e Suharekës, duke thënë se kjo duhet të jetë shembull edhe për komunat e tjera.

Ajo madje paralajmëroi edhe prezantimin e një strategjie kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave.

“MMPH shumë shpejt do të dalë me prezantimin e strategjisë kombëtare për menaxhim të integruar të mbeturinave dhe do t’i prezantojmë veprimet tona konkrete si ministri për menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Reshitaj.

Ajo ka paralajmëruar edhe pastrimin e pjesës veriore të Mitrovicës, duke thënë se do të ketë vullnetarë edhe të komuniteteve të tjera që do t’i bashkohen këtij aksioni.

“Ne kemi qenë në Mitrovicë e kemi filluar aksionin e pastrimit atje për shkak te specifikave që i ka si qytet dhe do të vazhdojmë edhe më tutje në pjesën veriore të Mitrovicës, ku jemi duke përgatitur një agjendë të veçantë në të cilën janë duke na ndihmuar Zyra e BE-së, Ambasada amerikane dhe KFOR-i”, tha Reshitaj.

Ndërsa, kryetari i Suharekës, Bali Muhamrremaj, tha se synim i tij është që kjo komunë të jetë më e pastër dhe më e gjelbëruara në Kosovë.

Ndryshe, në aksionin e sotëm të pastrimit kanë marrë pjesë rreth 7000 vullnetarë, të cilët deri më tani kanë pastruar 42 pika si dhe kanë mbledhur më shumë se 800 tonë mbeturina, përfshirë edhe deponitë interne që janë hequr për dy ditë rend.