Opinion

Republika e Kosovës, çmenduri?!

12/06/2018 12:38
nga:Vlera Gjakova

Republika jonë është shndërruar pa të voglin dyshim në një çmenduri. Sot, bashkëjetojmë me të keqen dhe nuk e kemi bezdi. Dendësia e ngjarjeve të tilla e ka mundur habinë.

Nuk e konsideroj këtë çmenduri si një akt satanik ose fatal, sepse ne jemi të gjithë të çmendur, pak a shumë, në një mënyrë apo në një tjetër. Është e rrezikshme kur çmenduria e një udhëheqësi politik shkon nga shtrati dhe bëhet krejtësisht i pakontrollueshëm, as nga institucionet, as nga partitë politike, as nga shoqëria civile, as nga qytetarët.

Çmenduria e pakontrolluar e Hashim Thaçit është një simptomë e sëmundjes së shoqërisë shqiptare në Kosovë.

Në këtë periudhë, e rëndësishme është, pra, të parashtrohen pyetjet e vërteta, dhe jo diagnozat e gabueshme. Claude LéviStrauss do të thoshte se, ndalimi i incestit nuk është një pyetje apo një enigmë, por një përgjigje për një pyetje që nuk e dijmë.

Në Kosovë përgjigje mbase dhe kemi, por nuk kemi formuluar pyetjet reale. Situata momentale në Kosovë i ngjan psikoanalizës, ku pacienti e di përgjigjen por ai nuk e di se çfarë është përgjigja, dhe puna e analistit është të formulojë pyetjen. Sepse, e përsëris, Hashim Thaçi është një simptomë, dhe pyetjet për të nuk i dijmë mjaftueshëm.

Pothuajse të gjithë ne jemi pengje të çmendurisë që vijnë nga një qendër, por përhapja e kësaj çmendurie bëhet si ato rrethet kur uji qëndron për një periudhë të gjatë në gotë. “Si është e mundur një ëndërr e një njeriu të bëhet pjatë e mbushur me agoninë e vigjilencës nga një njeri tjetër, Patrokli im i dashur?!”, thuhet në stripin komik Labrys.

Ndërsa unë pyes: Si është e mundur një frustracion komik u bë tragjedi për 1.8  milion njerëz në Kosovë?!

Mbreti i çmendur dhe maskat e tij

Shpesh citohet një konstatim i psikoanalistit të njohor Jacques Lacan: I çmendur nuk është i pafati i cili beson se është mbret; i çmendur është mbreti që me të vërtetë beson se është mbret. E pra, e kishim këtë mundësi histroike për të marrë ndoshta një mbretërim lilliputian, por “autentik” i cili beson në madhësinë dhe forcën e piedestaleve të tij të tmerrshme. Ne kishim atë fat të keq për të qenë aktorë në (tragji) komedinë e tij. Pse komedi? Sepse struktura e komedisë, e shikuar në mënyrën psikoanalitike, është e njëjtë: nuk është fatkeq komiku i cili beson që është mbret, por mbreti i cili me të vërtetë beson që është mbret.

Shumë thonë: Hashim Thaçi nuk është problem politik, por psikik. Afër jam këtyre kuptimeve, por edhe e vetëdijshme që implikimet politike të problemeve psikike mund të jenë të frikshme.

Kam vënë re detaje psikopatologjike në debate televizive në Kosovë, ku të ftuar janë udhëheqës politik, analistë e gazetarë të ndryshëm. Të gjithë kanë të drejtë të flasin gjithçka dhe asgjë sepse pretendojnë se janë autoritar në një hapësirë kubike televizive.

Në përgjithësi të gjithë bashkëbiseduesit janë të kënaqur me një mënyrë të tillë të të folurit, sikurse po e shijojnë sadizmin e fshehur dhe maçonizmin provincional. Ata pretendojnë se janë të specializuar për çdo tematikë sensitive, ndërsa ne (shikuesit) t’kurremi përpara ekraneve duke i analizuar dhe kritikuar mendimet e tyre. Pastaj, vijon klikimi për t’i pëlqyer mendimet e tyre dhe finalja- postimi në rrjete sociale. Pra, imponojnë mendimin e tyre edhe pse brenda tyre fshihen interesat dhe lakmia personale. Të tillë i ke gjithandej, edhe nëpër kafenetë e qytetit të Prishtinës.

Duke i parë këto karaktere psikopatologjike më kujtohet filmi gjenial i Thomas Vinterberg, “Festen” (The Celebration), i cili reflekton ngjyrat e patologjisë së autoritetit.

Helge, një baba si dhe biznismen i respektuar, patriarku i familjes, po feston datëlindjen e 60-të në kështjellën e tij milonëshe. Gjatë dollisë, Helene lexon letrën vetëvrasëse të motrës së saj, Linda, e cila e akuzon babain e tij Helge, për abuzim seksual.  Dhe, pasi që heshtja mbizotëron kur lexohet letra, Helge fillon të bërtasë duke u ankuar për mungesë të respektit.

Leksionin e parë, që e mësojmë nga ky film është pikërisht ky respekti i plotë: duke respektuar figurën autoritative madje edhe kur ajo vetë është dekurajuese, poshtëruese, e turpshme.

Leksionin e dytë, i rëndësishëm nga ky film na tregon se është shumë vështirë të thehet rituali i cili mban gjallë iluzionin: edhe pas zbulimit poshtërues të babait, në ritualin e drekës “respekti” për të vazhon – ajo se çfarë po ndodh këtu nuk është realiteti i traumës që kthehet dhe kundërshton simbolizmin, por vetë rituali i saj simbolik.

 

Pakica psikopatike

Hashim Thaçi, është një armë hibride i aspekteve më të këqija të banditizmit dhe totalitarizmit. As në variantin maskulin dhe as në feminzimin e tij, nuk mund të jetë i pranueshëm.

Ja se si Robert Torre përshkruan këtë sistem shoqëror patologjik: “Patrokracia është një formë e qeverisjes kur një pakicë psikopatike menaxhon tërësisht shumicën relativisht normale. Kjo shumicë e normales zakonisht bindet, mishërohet dhe shërben sistemin psikologjik të vlerave degjeneruese të jetësës së përditshme. Ata e dënojnë thellësisht këtë jetesë dhe nuk besojnë në të. Por, megjithatë, në emër të tij ata bëjnë gjëra të cilat nuk do ti bënin. Edhe pse psikopatët në pushtet varen nga ekspertët, të cilët në aspektin teknik e mbajnë piramidën në pushtet, ku në rend të parë, në pozicione të rëndësishme vendosin njerëz të dëgjueshëm dhe pak rëndësi ka aftësia e tyre. Prandaj, produktiviteti i sistemit bie dhe apatia sociale vazhdon të jetë në varfërim. Me çka, në anën tjetër, rritë varësinë nga strukturat e fuqive grabitqare. ”

Sido që të jetë, e rëndësishme është të theksoj: në thelb nuk mendoj se është i parëndësishëm forma e banditizmit e organizmit shoqëror në Kosovë; i cili është ndërtuar nga vetë pushtetarët. Bile, nuk shohë ndonjë dallim më të thellë në mes bandave dhe partive. Edhe njëra edhe tjetra, kanë për qëllim kryesisht plaçkitjen dhe sundimin e paskrupullt të shtetit. Prandaj, më së paku që dëshirojë është të moralizojë dhe të skandalizojë mbi natyrën banditëse të shtetit aktual të Kosovës. Thjesht, i konstatoj faktet si dhe konstatoj strukturën e rendit ku jetojmë dhe cili është banditi më me famë.

 

Në kasollën e zezë të Ekipit negociator 

Në shoqërinë shqiptare në Kosovë po ndodhë një mastrubim – eksplautim i nevojave të vazhdueshme politike dhe sensuale.
Një pornografi e tillë politike shfaqet vazhdimisht në piktura të vrazhda nëpër sheshe të qyteteve në Kosovë. Ndërsa, turma në vazhdimësi i shikon por dhe i ndjek në ekran,  realitet, kjo zbulon hipertrofinë e vazhdueshme që të arrihet një simulim i mirë. Por çfarë simulimi mund të arrihet vetëm nga mastrubimi?

Regjisori i pornografisë duhet të tregohet si një shpëtimtar. Pikërisht Thaçi përmes figurës së rilindjes pas përfundimit të luftës, na tregoi se me simbiozën e bolshevikut të vjetër dhe të ri, nga njëra anë, si dhe me lidhjen e manjatit dhe fuqisë politike, në anën tjetër, me popullin e ngujuar në fasadë, duhet ta dëgjojë dhe ta mishërojë figurën qëndrore të tranzicionit tonë të përjetshëm – Hashim Thaçi.

Në të shumtën e rasteve stabiliteti politik sigurohet me forcë; pjesërisht me forcë por pa dhunë, si dhe me bindje pa dhimbje. PDK-ja e cila ende udhëhiqet nga Hashim Thaçi, zbraz çdo ditë breshëri- sirulash ideologjike, mbi turmat e partive të tjera qeverisëse, që interesin e Thaçit ta pranojnë si një e vërtetë. Ndërsa, tani Shpend Ahmeti dëshiron të jetë Bashkëkryesues me Fatmir Limajn, në fazën finale të dialogut me Serbinë. PSD-ja me mandatet e deputetëve, që i ka marrë nga Lëvizja Vetëvendosje!, po ia mundëson idenë e Thaçit, dhe automatikisht po ia zgjasin jetën Qeverisë së koalicionit me Ramush Haradinajn, kryeministër.

Dialog teknik me Ekip Negociator për Serbinë, por me Hashim Thaçin?!

Çdo krizë çon në barazim, kështu po ndodhë sepse të gjithë janë të rrezikuar në të njëjtën mënyrë dhe të gjithë kërkojnë dalje nga një situatë e pamundur. Për secilin, situata është kanosëse dhe nuk mund të zgjidhet sipas një prej mënyrave të zakonshme- për shembull, me shfrytëzimin e statusit vetjak, fuqisë dhe autoritetit. Gjatë gjithë kohës së krizave në Republikë, turmat asnjëherë nuk kanë vepruar drejtpërdrejt. Atyre u nevojitet ndihma e të gjitha grupeve të vogla të forumeve qendrore të partisë dhe partive të tjera, ku Shpend Ahmeti i dha legjitimitet të përkohshëm Thaçit.

Prandaj, kur populli i Kosovës është në një situatë krize, për zgjedhjen e së cilës nuk kanë informacione të mjaftueshme, as kanalet adekuate për të shkuar tek informacionet, ata kanë fillur të sillen në mënyrë të njëjtë dhe identike, pavarësisht dallimeve në statusin shoqëror, nivelin arsimor, përkatësinë etnike dhe klasore të tyre.

Pavarësisht këtyre dallimeve, në mungesë të burimeve të tjera të unitetit shoqëror paraqitet homogjeniteti i perceptimit dhe i përvojës, pra krijohet njëfarë uniteti psikologjik. Në rradhë të parë, ky unitet mbështetet më shumë te përgjigjet e përbashkëta emocionale (te perceptimi identik për situatën), sesa te disa standarde formale të sjelljes.

Në Republikën tonë, sjellja e Ekipit Negociator së bashku me shpëtimtarin më të ri Shpend Ahmetin, në rrethana të caktuara, si të thuash, resht së varuri prej vetive të tyre individuale e grupore; dhe, pothuajse është e përcaktuar tërësisht nga rrethanat e jashtme të situatës së krijuar në Kosovë.
Ky është momenti kur PSD-ja me të vërtetë u konvertua në një turmë të pushtetarëve dhe kur secili, sipas qejfit të vet, udhëheq një pjesë të turmës duke e çuar atë ku t’i shkrepet. Në në gjendje të tensionuar emocionale kjo turmë është e hapur për të gjitha sugjerimet e mundshme dhe asgjë nuk është më lehtë sesa mashtrimi demagogjik i turmës, që më pas vetëm sprovat më të rënda mund ta sigurojnë për gabimin e saj.

Kjo furtunë zuri në befasi shoqërinë shqiptare në Kosovë, ku në dukje kanë filluar të dalin dallimet dhe ndarjet. Populli nuk kërkon shpjegime logjike, por kërkon shpëtimtarët. Përse? Sepse në vuajtje kërkohet një mendim i përbashkët, identik. Të gjithë demagogëve të mundshëm u jepet mundësia e papërsëritshme për t’u vënë në krye të turmës; sepse në shkretëtirë nuk ka kohë për të parë se i kujt është uji që po pi, mjafton që uji të jetë i ftohtë dhe të shuajë etjen.
Aq sa situata objektive është e rëndë ose aq sa është subjektivisht e patolerueshme, po aq do korrë sukses implementimi i idesë së (pa)njohur të Thaçit. Turma do ta pranojë si të vërtetë çdo gjë që është e mundur në qoftë se ajo gjendet në një situatë të pamundur. Pa dyshim, sytë e hetojnë lehtë atë me të cilën shpirti është i mbushur plotë.

Gjithashtu, në çaste krizash shfaqet nevoja për udhëheqës (prijës). Ekzistojnë dëshmi të qarta se njerëzit e pranojnë më shumë gatishmëri tipin autoritar të udhëheqësit sapo të ndodhen në rrethana të pasigurta apo në rrezik kolektiv. Hertzler-i ka analizuar tridhjetë e pesë (35) forma historike të diktaturës, ku ka konstatur se këto lloje kontrolli paraqiten kur ka kriza shoqërore dhe kur ndryshimet e papritura në organizimin shtetëror bëhen të nevojshme. Kësisoj kemi rastin të bindemi se jemi në kulmin e pafuqisë sonë: në vend të sundimit të popullit, para syve tanë mbin pushteti absolut i një njeriu në emër të popullit, Hashim Thaçi.

Argëtimi i Shpend Ahmetit

Midis turmave që argëtohen ka shumë nga ata që me vetëdije apo pa vetëdije ikin nga vetvetja dhe kërkojnë të harrojnë realitetin. Gënjehemi nëse mendojmë se turmat zbaviten thjesht për shkak të nevojës për t’u kënaqur. Kjo është vetëm një shajni. Nëse shohim nën sipërfaqen e sjelljes së dukshme të Shpend Ahmetit, do të zbulojmë se nevoja për t’u argëtuar është manifestim i nevojës së thellë për t’u arratisur nga vetvetja, nga realiteti që e rrethon. Kjo është nevoja për të jetuar jetën e një Uni tjetër, i cili tashmë rron në çastet e harresës së Unit të përditshmërisë. Argëtimi i ri i Shpend Ahmtit është: Bashkëkryesues i Ekipit Negociator në bisedimet me Serbinë.

Shpend Ahmeti i frikësohet vetvetes, prandaj dhe nuk mund të argëtohet vetëm, por në turmë duke manipuluar, ku fiton siguri psikologjike dhe një fat të barabartë. Madje asnjë në turmën e PSD-së nuk argëtohet në mënyrën e vet, por të gjithë njësoj, gjë që përbën një rast të veçantë të identifikimit në rrethanat kur turma e tij rrezikohet në çfarëdolloj mënyre. Përse? Sepse të harrosh aty për aty vuajtjet nuk nënkupton se u ke dhënë karar këtyre çështjeve, të cilat në çastin më të parë pas argëtimit, apo në ditët në vijim kthehen sërish në vetëdijën e tij fatkeqe,

Si pjesë e Ekipit Negociator, do ta ketë mundësinë të largohet nga realiteti i Prishtinës. Kur ai do të fillon të argëtohet në Bruksel, nuk do të mendon për detyrimet në Prishtinë ngase gjuetia bëhet në ujë të turbullt.

Kritikët do të thoshin se në këtë mënyrë bëhet e pamundur etika normative. Mbase… Pasoja themelore praktike gjithashtu është e qartë, ka të bëjë me mohimin e thjeshtë të çdo përgjegjësie për atë që bën Shpend Ahmeti. Çfarëdo që të bëjë, ai mund të justifikohet duke thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër, se rrethanat ishin të tilla, se përbyllja e dialogut me Serbinë për të dhe PSD-në është me e rëndësishme sesa votat në zgjedhjet e ardhshme. Atij as që i shkon ndërmend të pranojë se nuk donte ndryshe. Me pak fjalë, veprimet e tij varen nga situatat, jo prej tij, dhe ai vetëpërcaktohet me dëshirë tek i ashtëquajturi morali i situatës, e jo te ndërgjegja. Duan të udhëheqin popullin ata që nuk janë të aftë të udhëheqin vetveten.

Kam atë kurajë të këndshme të pohoj se këta përfaqësues të mbijetuar, këto rrënoja të botës së vogël që po vdes, po i bëjnë vetes nderimet e fundit për Republikën. Të paktën, në këtë pikë historia mund të jetë një mësuese e mirë.

12/15/2018 01:01

Moti ‘befason’ vikendit