Lajme

Rënia e Kurtit në kurthin e komedianëve/ Opozita: Po i del fytyra e vërtetë, s’do koment mllefi i tij ndaj çdo gjëje

3 ditë më parë
nga:G B

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rënë pre e dy rusëve të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Me ta ai ka folur për zgjedhjet në Kosovë, për dialogun me Serbinë, emisarin amerikan, Richard Grenell, e çështje të tjera, ku Kurti ankohet për “luftë hibride” kundër Qeverisë, përmend dhe partitë opozitare dhe për oligarkët, duke e veçuar njërin që ka në pronësi një televizion.

Po ashtu, në atë video, kryeministri i Kosovës flet edhe për emisarin amerikan, Richard Grenell, orientimin e tij seksual dhe dëgjohet duke thënë se Grenell e ka rrëzuar qeverinë e parë dhe se tashmë ai po bashkëpunon me opozitën.

Pas publikimit të kësaj bisede, nga Zyra e Kryeministrit kanë reaguar duke thënë se Rusia është e fiksuar me Kosovën dhe se biseda kishte ndodhur më 11 shkurt, dy ditë pas zgjedhjesh, dhe nuk kishte arritur të konfirmohej, për shkak ë telefonatave të shumta urimi që kishte pranuar Kurti ato ditë.

Lidhur me rënien pre të Kurtit nga dy komedianët rusë, janë deklaruar për Gazeta Blic nga opozita.

Ish deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Kurti paska shkretuar sërish.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se Kurtit po i del fytyra e vërtetë prej mashtruesi, pasi ka bërë shumë zullum.

““Intelegjenti”, të cilin e bën horë cirkuzat e Rusisë, Albin bogolina, paska shkretu prapë. Ka bërë shumë zullume e domosdoshmërish fytyra e vërtetë po i del këtij mashtruesi”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë për Gazeta Blic se s’do koment që Kurti të bie në atë nivel të shprehjes, duke sharë opozitën, mediat, bizneset, SHBA-të.

“Është naivitet se si një kryeministër bie në këtë nivel të shprehjes, aq haptas, duke sharë opozitën, mediat, bizneset, SHBA-të, sepse nëse ka rënë pre e humoristëve, ndoshta i ka ndodhur edhe të tjerëve por të flasë aq hapur e aq pa takt kundër mediave, opozitës, bizneseve e SHBA-ve, në një bisedë të pa konfirmuar, s’do koment. Gjithë ai mllef i Albin Kurtit ndaj çdo gjëje, u pa shumë qartë me atë që e ka shprehur gjatë kësaj telefonate”, ka vlerësuar ajo.

Sa i përket arsyetimit të Zyrës së Kryeministrit, Kadrijaj thotë se Rusia nuk e ka detyruar Kurtin të flasë kundër askujt dhe se Kurti e ka fiksim opozitën, mediat, bizneset e SHBA-të.

“Rusia nuk e ka detyruar Kurtin të flasë kundër opozitës. Në vend që të flasë me një kryeministër apo president që të kërkojë angazhim, njohje apo përkrahje, ashtu siç do të duhej të ishte agjenda ose fjalori i tij, por në asnjë moment nuk e pamë që kërkoi përkrahje për diçka apo për heqje të sanksioneve ose lobim, nuk ishte fiksim, por fiksime të Kurtit që e ka fiksim opozitën, mediat, bizneset, por edhe SHBA-të, dhe më pas gjuha e tij se çka është Grenelli nuk është dashur në asnjë formë të jetë në fjalorin në kryeministrit”, ka potencuar Time Kadrijaj për Gazeta Blic.

Ndryshe, Vladrimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyraov që njihen edhe si Vovan dhe Lexus më herët u kanë bërë rrengje edhe politikanëve të tjerë nëpër shtete të ndryshme. Siç raporton “The Independent”, të dy kanë mashtruar kryeministrin irlandez, Leo Vardakar, politikanin britanik, Boris Johnson, atë amerikan, Bernie Sanders, ish-kryeministrin kanadez, Justin Turedau, e shumë emra të tjerë./Gazeta Blic/