Opinion

Rëndësia e shëndetit mendor në kohë pandemie

04/02/2020 22:16
nga:Violeta Zefi

Shkruan: Violeta Zefi (Psikologe)

Zakonisht kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien e individit, ajo se çfarë shumica e njerëzve kanë në mendje lidhet, kryesisht, me shëndetin e tyre fizik. Jo rrallë herë harrohet se rëndësia e shëndetit mendor është po aq e rëndësishme se sa ajo e vitalitetit fizik. Në fakt, ekziston një lidhje e fortë midis shëndetit fizik dhe atij mendor. Pra, funksionimi i gjithmbarshëm i një njeriu nuk mund të jetë i kompletuar nëse komponenta e shëndetit mendor është e cenuar.

Shëndeti i mirë mendor është një komponent i rëndësishëm i shëndetit dhe mirëqenies sonë të përgjithshme. Ai është i nevojshëm që ne të arrijmë të menaxhojmë jetët tona në mënyrë të suksesshme dhe na garanton aftësi emocionale e shpirtërore që na mundësojnë të shijojmë jetën dhe të përballemi me shqetësimet dhe zhgënjimet eventuale. Shëndeti mendor përfshin mirëqenien tonë psikologjike, sociale dhe emocionale. Ky ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndiejmë dhe si veprojmë në aktivitetet tona të përditshme. Sipas studiuesve të psikologjisë, përcaktuesit e shëndetit mendor përfshijnë jo vetëm atributet individuale si: aftësia për të menaxhuar mendimet, emocionet, sjelljet dhe ndërveprimet me të tjerët, por gjithashtu edhe faktorët social, kulturor, ekonomik, politik dhe mjedisor si politikat kombëtare, mbrojtja sociale, standardet e jetesës, kushtet e punës dhe mbështetjet sociale të komunitetit.

Duke qenë se situata e krijuar nga Covid-19 e ka pllakosur botën në një pasiguri të madhe, shqetësimet për përhapjen e virusit janë krejtësisht normale. Pra, janë reagime të pranueshme dhe të pritshme, në një situatë krejtësisht abnormale. Kështu, çdo lloj situate e pafavorshme, veçanërisht ato që ndërlidhen me shëndetin, sjellin paqartësi dhe dyshime të mëdha në mesin e popullatës. Çështje është se si ne reagojmë, apo si dhe sa arrijmë të menaxhojmë këtë situatë? Ajo çka është me thelbësore është resilienca që ne tregojmë kundruall vështirësive psikologjike, ose forca e bashkëpunimit për ta tejkaluar këtë situatë dhe përgjigjja/reagimi ynë si individ, familje apo komunitet në përgjithësi.

Përhapja e virusit në mbarë botën dhe lajmet e vazhdueshme për të, “infodemia”, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor. Ndikimi më i dukshëm është sidomos të personat që tashmë janë duke u përballur me ankth, stres, depresion apo probleme të tjera. Rrjedhimisht, shumë njerëzve mund t’u rendohet gjendja e shëndetit mendor si pasoje e kësaj situate. Madje mund të thuhet se e gjithë popullata përjeton stres dhe ankth në një farë mase. Kështu, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vlerësohet se mund të ketë një rritje të incidencës së problemeve të shëndetit mendor në situata të tilla.

Dy kategoritë me ndjeshmëri me të lartë në mesin e popullatës janë fëmijët dhe të moshuarit. Fëmijët për shkak se nuk arrijnë të kuptojnë drejtë situatën, ndërsa të moshuarit për shkak se janë me vulnerabil ndaj virusit. Sa i përket fëmijëve, duhet të jenë prindërit ata që u japin informacione të besueshme dhe komunikojnë me gjuhen e tyre, dhe t’i mbajnë larg informatave dhe ekspozimit të tepruar ndaj lajmeve dhe rrjeteve sociale. Shumë ekspertë të komunikimit kanë ardhur në përfundim se më i rrezikshëm se vetë pandemia, është “infodemia” me të cilën po përballën njerëzit. Pra, më një furtunë informatash të rrejshme të cilat duke dashur të marrin shikueshmëri, rrisin ankthin dhe rëndojnë gjendjen emocionale dhe psikologjike të njerëzve. Derisa, ndikimet psikologjike për të moshuarit mund të përfshijnë ankth, ndjenjë stresi ose zemërimi. Edhe ashtu një numër i të moshuarve tashmë mund të jenë të vetmuar dhe jetojnë të distancuar nga familja dhe shoqëria, gjë e cila mund të përkeqësojë shëndetin e tyre mendor. Pra, një vëmendje më e veçantë duhet kushtuar kategorive në mënyrë që të ruhet shëndeti mendor i tyre, në këtë kohë të vështira të shëndetit publik.

Situata të tilla kanë ndikim të madh edhe në punëtoret shëndetësor. Studimet e kryera në situata të ngjashme (si p.sh. gjatë epidemisë së SARS-it), kanë treguar se për, shkak të ngarkesës së madhe gjatë punës, punëtorët shëndetësor janë shumë të predispozuar ndaj gjendjeve të tilla si ankthi, depresioni por edhe shpesh mund të preken nga “burnout” – gjendje që prek aspektin emocional, fizik dhe mendor të tyre, e cila shkaktohet nga stresi dhe mbingarkesa e tepruar në vendin e punës.

Roli i profesionisteve të shëndetit mendor, përkatësisht i psikologëve, është shumë i rëndësishëm në situatat të tilla. Nevoja për këshilla profesionale ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë e madhe gjatë këtyre ditëve. Përfillja e udhëzimeve nga profesionistët është mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin tonë fizik dhe mendor, në këtë kohë pandemie.