Lajme

“Rekomandon” Xhavit Haliti: LDK e PDK duhet të bëjnë koalicion të ri

05/13/2020 21:29
nga:Gazeta Blic

Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të duhej të bënin koalicion të ri.

Haliti ka thënë se këto dy parti do të duhej të bashkoheshin për të ndarë detyrat për të ardhmen e vendit e “të mos ndanin pushtetin për interesa partiake e personale”.

“Për të qenë realist, në atë që e mendoj është se PDK-ja dhe LDK-ja do të duhej të bënin koalicion dhe do të duhej të mos merreshin me ministritë kujtdo çka i bie e me tendera e me borde e të mos ndahej pushteti për interesa partiake e personale, por të ndanin detyrat dhe të merreshin vesh për të ardhmen e vendit”, ka thënë ai në KTV.

Ai ka thënë se nëse formohet Qeveria Hoti, koalicioni LDK-AAK-Nisma-AKR nuk do të udhëheqë gjatë me vendin. Sipas tij, kjo duke u bazuar në “apetitet për pushtet”.

“Meqenëse nuk u bë dhe me sa po e shoh nuk bëhet, gjithçka mund të ndodhë, e shoh të mundshme që pas tre muajve kur të përfundojë kjo, edhe Qeveria e re të bie. Ka shumë të çara koalicioni, e shoh të vështirë funksionimin, duke parë apetitet për pushtet. Duhet ditur pse lypset pushteti”, ka shtuar ai.

Haliti ka thënë se ka pritur që Qeveria Kurti të zgjaste të paktën deri në shtator e të mos rrëzohej për vetëm 50 ditë pushtet. Ai ka thënë se kjo qeveri ka pasur gabime në fillim duke e përmendur edhe vettingun “pa ligj e pa argumente”.

Sa i përket pozicionimit të PDK-së në opozitë, Haliti ka thënë se kjo parti ka nisur të organizohet më mirë e të bëjë reformim të brendshëm.

“Ju keni dëgjuar edhe kryetarin e partisë dhe të gjithë protagonistët, pjesën drejtuese të partisë, që kemi qenë të përcaktuar që të mbesim në opozitë. Nuk është e lehtë të qenit opozitë, veçanërisht pas një kohe të gjatë kur je në pozitë dhe ke udhëhequr me të gjitha dikasteret e shtetit, për ata që ishin në pozita dhe për ne në parti s’ishte e lehtë e as e mirëseardhur sepse s’besoj se dikush i gëzohet asaj kur del në opozitë apo humb zgjedhjet. Por qëndrimi i gjatë, lufta politike e egër dhe shpifëse shumë dhe ndoshta jo dëshira e paktë e PDK-së për t’u përballur apo për t’u fjalosur apo për të dalë në mbrojtje në kuptimin politik të fjalës, për të organizuar siç organizohen më të gjitha vendet, ka munguar. Ne nuk kemi humbur, kemi një apo dy deputetë më pak. Ka mundur partia e fundit të merrte qeverinë, por jemi partia e tretë. Pretendojmë të dalim prapë partia e parë në zgjedhjet e reja. Po organizohemi më mirë. Kemi bërë hapa të mëdhenj në reformim të partisë e thithjes së gjakut të ri që thotë populli. Pjesa militante dhe politike janë shumë aktive edhe përmes rrjeteve sociale, komunikimit elektronik që po e bëjnë për dallim nga e kaluara kur ishim më pak aktivë”, ka thënë ai.

Sipas Halitit, opozitarizmi i PDK-së ndonjëherë ngjan me të Vetëvendosjes, por sipas tij, “këto ndodhin”.

“Fjalimet në seancën e formimit të Qeverisë kanë qenë me qëllim që të hidhet në sulm grupi i PDK-së kryesisht kundër kryeministrit dhe Vetëvendosjes. Sa ja ka dalë dhe sa ishte e studiuar mund të flitet, por ai ishte fillimi. U bë analiza pastaj në organet e partisë dhe ka pas vërejtje, lëvdata, të gjitha sepse në parti janë të gjitha prezentë. Por grupi parlamentar gradualisht po e merr veten dhe nëse vazhdon si parlament do të shohim debate shumë interesante”, ka vazhduar Haliti.

Se a ekziston mundësia e bashkëpunimit PDK-VV nëse formohet Qeveria Hoti, Haliti ka thënë se “edhe përpara kam thënë që në politikë nuk ka ‘kurrë jo’ e ‘kurrë jo me dikënd’”.

“Në fillim të parlamentit s’mundeshim ta shihnim njëri-tjetrin sepse ishin ashtu raportet e pas një kohë e bëmë qeverinë bashkë. E bëmë Bajram Rexhepin kryeministër. Tash mendoj që partitë duhet t’i ndërpresin retorikën dhe luftën e panivel. Duhet të gjejnë mekanizëm. E kanë provuar që të ulen të gjithë rreth tavolinës. Duhet të ulen vetë. Një mekanizëm duhet të funksionojë për t’i zgjidhur problemet veçanërisht çështjen e dialogut, çështjen e ekonomisë, arsimit e të punësimit. Kemi shumë fjalë, por mendoj se duhet të punojmë shumë që të krijojmë mundësi shtesë për t’i ndihmuar mekanizmave të shtetit”, ka shtuar ai.