Lajme

Reformat në drejtësi të domosdoshme për të siguruar funksionim normal të shtetit

09/25/2018 18:19
nga:Skender Musa

Shkruan: Skender Musa

Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës ka nevojë për reforma të rrënjësishme të llojit të Vetting – ut, sepse pa gjykata, prokurori dhe polici të pavarura të paanshme dhe funksionale, e që janë në gjendje ta zbatojnë ligjin në afatet e parapara, nuk mund të ketë shtet ligjor apo juridik.

Sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës janë kushte thelbësore për një shoqëri të lirë, demokratike dhe një ekonomi e cila bazohet në tregun e lirë dhe në konkurrencë e mallrave dhe ideve.

Reformat në Republikën e Kosovës duhet të përfshijë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së parë, gjyqtarët dhe prokurorët e apelit, gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës Kushtetuese, Këshillin Gjyqësor, Prokurorin e Shtetit, Këshillin Prokurorial, zyrtarët ligjor dhe zyrtarët administrativ të këtyre institucioneve.

Procesi i vetingut duhet të përfshijë vlerësimin e aftësive profesionale, vlerësimin e pasurisë dhe të figurës në mënyrë të njëjtë si në Republikën e Shqipërisë.

Aftësitë profesionale duhet të përfshijnë performanca e personave që i nënshtrohen procesit duke vlerësuar punën individuale në hartimin e shkresave ligjore dhe mënyrën e vendosjes duke rishikuar aftësitë profesionale apo mangësitë e zyrtarit konkret.

Sa i përket pasurisë duhet të shikohet mënyra e fitimit të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, dhe sendet me origjinë të pajustifikueshme.

Ndërkaq pastërtia e figurës duhet të përfshij kontaktet që ka mundur ti ketë një zyrtar me njerëz të cilët janë në procedurë për shkak të dyshimit apo akuzimit për krim të organizuar, lidhjet e mundshme të zyrtarit me zyrtar politik dhe institucione tjera qeveritare që mund të kenë ndikim në hetime, akuza dhe në gjykime.
Pastërtia e figurës duhet të përfshijë edhe lidhjet dhe pozitat e mundshme që kanë pasur zyrtarët me regjimin komunist Jugosllav e në mënyrë të veçantë me regjimin e Millosheviqit nga marrja e autonomisë së Kosovës me dhunë, e të cilët aktualisht ushtrojnë funksione publike.

Objekt i rivlerësimit duhet të jetë edhe punësimet familjare dhe për mes lidhjeve shoqërore dhe lidhje tjera të cilat vërtetë janë të dukshme në institucionet e drejtësisë.

Reforma duhet të jetë rrënjësore dhe duhet të përfshijë të gjitha segmentet e drejtësisë dhe hetuesisë por megjithatë duhet ta kemi parasysh se në Republikën e Kosovës situata qëndron më mirë në drejtësi se sa në disa vende të rajonit.

Strategjia e Qeverisë për drejtësinë është e pamjaftueshme dhe jo adekuate me nevojat, sepse ndryshimi i ligjeve nuk garanton edhe zbatim të tyre.

Problemet në drejtësinë e vendit tonë nuk janë te ligjet, por qëndron te zbatimi i ligjeve me rastin e vendosjes, dhe pikërisht këtu qëndron problemi që nuk kalohet pa reforma thelbësore e për të cilat Kuvendi i Kosovës domosdoshmërisht duhet të fillojë procedurat ligjore për fillimin e reformës së tipit të vetingut.

(Autori është avokat i njohur)