Opinion

Reforma në drejtësi, nevojë e kohës, apo temë për konsum politik

12/07/2018 15:05
nga:Berat Peci

Se është i brishtë sistemi i drejtësisë tek ne, tashmë është thënë shumë herë, edhe nga monitoruesit e institucioneve të drejtësisë, shoqëria civile, por edhe shumë organizata serioze që merren  me publikimin e raporteve nga kjo fushë.

Tashmë pothuajse janë bërë rutinë skandalet në sistemin e drejtësisë tonë, duke filluar me raportimet për parregullsitë në menaxhimin e lëndëve në institucionet tona të drejtësisë, e deri tek rastet tashmë të njohura mediale.

Reforma në drejtësi parashikon një serë masash për rivlerësimin dhe riverifikimin e  punonjësve të sistemit të drejtësisë, proces ky i njohur si procesi i Vetingut

Në kohën e fundit tek ne në Kosovë, ka filluar të qarkulloj në opinionin publik ideja e Vetingut.

Duke u nisur nga kjo lind pyetja shumë e logjikshme?

A është iniciativë serioze për të bërë pastrimin e sistemit të drejtësisë nga njerëzit që janë të thirur për të vënë drejtësi,e vetë janë të ndjekur nga drejtësia, apo është temë e krijuar për konsum ditor politikë, e jo ide serioze për ta nxjerrur sistemin e drejtësisë nga kjo gjendje në të cilën është.  Termi Veting para se gjithash për shumë kë, është edhe i pa qartë si i tillë, sidomos për opinionin e gjerë.

Fjala Veting rrjedh nga gjuha angleze vetting , që do të thotë kontroll i imtësishëm i figurës së dikujt përpara se t’i ofrohet një pozicion pune, titull, pozitë.

Për të pasur sukses ky proces i verifikimit, do të duhej të përfshinte verifikimin në tre drejtime: verifikimin e pasurisë, të figurës-personalitetit dhe vlerësimin profesional.

Vlerësimi i pasurisë-çdo subjekt duhet t’i nënshtrohet vetëdeklarimit dhe pastaj kontrollit të të gjitha pasurive të tij dhe personave të lidhur me të (familjarëve direkt).

Subjekti duhet të justifikoj pasuritë e tij mbi bazën e burimeve të ligjshme. Burime të ligjshme do të konsiderohen vetëm të ardhurat e deklaruara, për të cilat paguar taksat. Nëse pasuria e deklaruar apo e zbuluar është më e madhe se dyfishi i të ardhurave të ligjshme, individi paramendohet fajtor dhe përjashtohet nga sistemi, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.

Vlerësimi i figurës-personalitetit– çdo subjekt do të bëjë fillimisht vetëdeklarim për figurën e tij dhe pastaj do t’i nënshtrohet verifikimit të kontakteve të pa përshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, e nëse verifikohen kontakte të tilla, individi paramendohet fajtor dhe shkarkohet menjëherë, nëse nuk arrin ta vërtetojë të kundërtën.

Vlerësimi i aftësive profesionale- çdo subjekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të aftësive për të gjykuar ( për të hetuar e ngritur akuzë në rastin e prokurorëve), aftësive organizative.

Subjekti që do të vlerësohet se ka mangësi, të cilat nuk mund të korrigjohen përmes edukimit, do të shkarkohet menjëherë.

Praktikë e mirë për Ligjin mund të merret, implementimi i tij në Shqipëri, ku sipas organizatave të huaja që e monitorojnë  sistemin e drejtësisë atje, e vlerësojnë si nismën më të qëlluar ligjore që ka marrë ndonjëherë ky shtet , si pjesë e reformës ne sistemin e drejtësisë . Duke mbetur ende në Republikën e Shqipërisë, atje kanë paraparë që këtë proces ta monitorojnë organizmat e specializuar ndërkombëtar.

Në Ligjin për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë thuhet se qëllimi i këtij është të përcaktoj rregulla të qarta për të garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimit të besimit te qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.

Kjo formë do të ishte e përshtatshme të përdorej edhe tek ne, sidomos monitorimi nga ndërkombëtarët  të këtij procesi mjaft të ndjeshëm e jetik, për një sistem të drejtësisë ligjor .

Duke e parë nevojën e madhe për reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë në Kosovë, veprime konkrete në pastrimin e figurave që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, shpresojmë që kjo iniciativë të jetë serioze e duke ia besuar profesionalistëve me bashkëpunëtor ndërkombëtar në përmbylljen e këtij procesi, dhe që kjo iniciativë të mos mbetet vetëm një temë e krijuar për konsumim ditor politik.