Sporti

Real Madridi lë anash Neymarin, fokusohet te Mbappe

06/05/2019 10:33
nga:M K

Një prej klubeve që pritet të bëjë “hatanë” në merkaton e verës është Reali i Madridit.

Kjo pasi “Los Blancos” nuk e përtypën dot zhgënjimin në të gjitha aktivitetet në sezonin që lamë pas dhe duan të bëjnë blerje “të rënda” për të pasur një skuadër që lakmon “tripletën” gjatë edicionit të ri. Në fokus janë emrat më të spikatur të futbollit botëror.

Por mësohet së fundmi se Reali i Madridit ka marrë vendimin për të hequr dorë përfundimisht nga blerja e Nejmarit. Klubi “merengues” e admiron futbollin e brazilianit, të cilin e konsideron “galaktik”, por i frikësohet përshtatjes së tij.

Jeta që bën 27-vjeçari, polemikat që shkakton dhe karriera e tij në Paris kanë rritur mosbesimin ndaj tij në Madrid, ku aksionarët nuk e kanë më “O’Ney”-n të preferuarin e tyre. Vagner Ribeiro, përfaqësues i besuar i Nejmarit, ishte në Madrid tri javë më parë dhe u takua me Florentino Perezin në zyrën e tij.

Ribeiro, i cili ka një marrëdhënie të mirë me numrin 1 të klubit mbretëror, studioi terrenin për të transferimin të mundshëm në “Bernabeu”, por ngjarjet e fundit kanë bërë që të braktiset përfundimisht pista “Nejmar” në Reali.

Drejtuesit e “Los Blancos” janë të përqendruar në mbylljen e marrëveshjeve për tre lojtarë: Hazard, Joviç dhe Mendi.

Belgu i Çelsit prite të zyrtarizohet në gjysmën e dytë të qershorit, sapo të arrihet marrëveshja përfundimtare për çmimin e tij. Njoftimi zyrtar i nënshkrimit të Joviç dhe Mende pritet gjithashtu të bëhet brenda muajit.

Në korrik, kupola drejtuese e Realit do të jetë shumë e vëmendshme ndaj evoluimit të ngjarjeve rreth Mbapesë, i cili e mbylli me zhgënjim sezonin me PSG-në.

Operacioni “Mbape” nuk është i lehtë, as nuk do të jetë i shkurtër. Por Reali nuk do ta humbë shpresën deri në ditën e fundit të merkatos së verës. Ndërkohë, Nejmar nuk po kalon aspak një moment të mirë. Ai është parë të përlotet në ndeshjet e Brazilit në Kupën e Amerikës së Jugut.

Këtu nuk bëhet fjalë për lojën apo formën e tij në fushë, por për telashet që kanë mbërthyer brazilianin në jetën private. Fillimisht, ishte acarimi me tifozin e PSG-së, të cilin e goditi me grusht, çka solli një pezullim prej 8 ndeshjesh nga kampionati francez, ndërsa më pas në Kombëtare iu hoqën gradat e kapitenit, pikërisht prej incidentit me tifozin.

Ndërkohë, së fundmi denoncimi për përdhunim. Diçka që e preku dhe ka ndikuar shumë te Nejmar, i cili menjëherë nxitoi të publikonte mesazhet dhe foto me vajzën për të treguar si qëndronte e vërteta.

Megjithatë, ngjarja ka lënë pasoja teksa në stërvitje, siç raportohet nga mediat braziliani, trajneri Tite dhe 27-vjeçari kanë pasur një takim kokë më kokë.

Një biseda nga e cila, Nejmar nuk ka mundur të mbajë lotët, ndërsa trajneri është munduar t’i japë kurajo dhe më pas sulmuesi është përfshirë normalisht në stërvitjen e Kombëtares “Selecao” para startit të Kupës së Amerikës. Një situatë e vështirë për Brazilin teksa për të triumfuar do të ketë nevojën për një Nejmar në maksimum.

06/24/2019 23:48

Milorad Dodik thotë se nuk e ka ftuar Thaçin në Samit si president i Kosovës