Lajme

Reagon Kryeprokurori Lumezi: Nuk kam asnjë lidhje me “Pronton”

12/12/2017 12:45
nga:anonymous1000144531

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar lidhur me raportimet e fundit se ai është i përfshirë në aferën e përgjimeve “Pronto”.

Ai ka mohuar të ketë lidhje me PDK-në, duke shtuar se “Pyetja që shtrohet është: si arritën këto përgjime në duar të këtij mediumi dhe përse vetëm pak ditë pas disfatës së turpshme që pësuan të njëjtit me rastin e trilluar “dosja Lumezi”?

Reagimi i plotë:

Mbrëmë në edicionin e lajmeve qendrore në KTV, është transmetuar një kronikë me titull: “Përgjimet e reja shpërfaqin planet e PDK-së për Aleksandër Lumezin”, ndërsa sot gazeta “Koha Ditore” ka shkruar shkrimin me titull: “Pronto 3”: Kryeprokurori Lumezi i afërt me PDK-në, zbulojnë përgjimet”, të bazuara në biseda të zyrtarëve të një subjekti politik të vendit, që kanë bërë përpjekje për të më lidhur mua me politikën.

Përpjekjet e tilla janë të destinuara të dështojnë, ashtu sikurse të njëjtëve u ka dështuar tentimi i mëhershëm për rastin e trilluar “dosja Lumezi” dhe duke mos mundur ta kapërdijnë dështimin në fjalë, kanë shpikur dhe po shpifin me kronikën e mbrëmshme. Po ashtu shpikja e radhës vërteton katërçipërisht atë që kam thënë më herët, e kjo është se prapa këtyre sulmeve qëndrojnë grupe të strukturuara kriminale të cilat janë goditur kohëve të fundit ndërsa bashkëpunimi me median e lartpërmendur bën pjesë në një “koalicion joparimor” dhe koalicion i interesit.

Pyetja që shtrohet është: si arritën këto përgjime në duar të këtij mediumi dhe përse vetëm pak ditë pas disfatës së turpshme që pësuan të njëjtit me rastin e trilluar “dosja Lumezi”?

Andaj, përsëris se unë nuk kam të bëj asgjë me pretendimet e trilluara dhe të transmetuara mbrëmë dhe sot në media, dhe se partitë politike edhe mund të diskutojnë kandidatura dhe të përpiqen të rekrutojnë persona që ata mendojnë se mund t’ua sjellin fitoren në komuna të ndryshme, mirëpo këto “tentime për rekrutim”, gjithnjë nëse kanë ndodhur, nuk kanë të bëjnë me mua asgjë dhe në asnjë mënyrë, ngase unë nuk jam pjesë e tyre. Madje në zgjedhjet e fundit, të gjithë jemi dëshmitar se parti politike kanë rekrutuar persona të cilët i kanë nominuar për kryetarë të komunave, edhe pse nuk kanë qenë pjesë të partive të tilla politike ngase është detyrë e partive politike të gjejnë kandidatë që mendojnë se mund t’ua sjellin fitoren.

Andaj, unë konsideroj se përpjekjet e tilla të mediave të lartcekura me shkrime dhe kronika të tilla janë të pavërteta, qëllimkëqija si dhe të pabazuara, pasi që synim i imi asnjëherë nuk ka qenë që unë të jem pjesë e ndonjë partie politike.

Gjithashtu këto media në komunikimet e të tjerëve për mua, nuk mund të më lidhin me planet e të tjerëve dhe mund të ndodhë që edhe parti tjera të kenë lakuar emrin tim dhe emra të personave tjerë por këto nuk kanë dhe as që do të kenë lidhje me mua në asnjë variant.

Prokurori i Shtetit do të intensifikoj për aq sa është e mundur luftën kundër krimit dhe sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin në përkushtimin e tillë por vetëm se rrisin vendosmërinë për luftimin dhe çrrënjosjen e krimit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale.

01/15/2018 16:54

PDK mblidhet për Gjykatën Speciale!