Kandiati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj ka reaguar pasi në Kishën Ortodoske në oborrin e Universitetit të Prishtinës për herë të parë është mbajtur një liturgji fetare, shkruan Gazeta Blic.
Haradinaj ka thënë se ka respekt për liritë fetare por ajo çka ka ndodhur sot gjatë ditës është shkelje e dinjitetit të Republikës e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë.
Qeveria dhe Komuna të reagojnë menjëherë!
Kisha Ortodokse Serbe ka mbajtur liturgji fetare të enjten në kishën e papërfunduar në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.
Kjo është hera e parë që mbahet liturgji në këtë kishë pas luftës. Sipas mediumit serb RadioKim, për herët të fundit liturgji në këtë kishë ishte mbajtur më 1998.Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.
Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.