Lajme

Rasti “Veteranët”, nis seanca ndaj Agim Çekut, Rrustem Berishës dhe të tjerëve

12/23/2019 10:58
nga:B. D

Me dëgjimin e dëshmitarit, H.G, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet të nis gjykimi në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dëshmitë e tyre, sipas vendimit të kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka Mekaj, nuk do të mund të bëhen publike.

Gjykatësja Kuka-Mekaj, në seancën e 4 dhjetorit 2019, kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin kishte ndaluar publikimin e dëshmisë së dëshmitarëve nga mediet, deri në përfundim të procesit të të provuarit.

Një vendim të tillë, gjykatësja e kishte marr në mënyrë që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast, ashtu që, dëshmitarët të mos jenë në gjendje të lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë edhe të koordinojnë dëshmitë.

Po ashtu, gjykata kishte vendosur që edhe dëshmitarët të mos u zbulohet identiteti nga mediet, por t’u referohen me iniciale edhe pse vet gjykatësja e kishte pranuar se të njëjtin nuk janë dëshmitarë të mbrojtur, por qëllimi sipas saj, është që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Por, më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

03/04/2020 11:45

Haradinaj flet pas dëshmisë për rastin e “Veterenëve të rrejshëm”