Lajme

Rasti në AKI- Mbrojtja: “Dorasi e ka përgatitur më herët skenarin”. Detaje të reja rreth rastit

09/14/2018 10:33
nga:Gazeta Blic

Avokati i familjes Sejdiu, djali i së cilës familje, Isa Sejdiu u vra me dy plumba brenda objektit të AKI-së, Skender Musa në një bisedë për Gazeta Blic ka dhënë detaje të reja rreth këtij rasti.

Ai pretendon se dorasi, Valon Ibërdemaj vrasjen e kishte përgatitur më herët.

“Sipas informacioneve tona, dorasi e ka përgatitur veprën penale, per shkak se ka marrë armën pa leje, e ka futur brenda objektit, me të cilën e ka kryer vrasjen. Dhe kjo dëshmon që kresi i veprës penale, me dashje dhe paramendim të plotë ka kryer veprën penale dhe atë duke goditur në organet vitale: në gjoks, me dy plumba, derisa plumbat tjerë per shkak të defektit në armë nuk ka mundur t’i shkrepë”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Përfaqësuesi ligjor i Familjes Sejdiu, ka thënë se i dyshuari Valon Ibërdemaj e ka kryer vrasjen më të rëndë që nga përfundimi i luftës, per shkak se ka vrarë zyrtarin në vendin e tij të punës.

“Kjo padyshim që është një prej vrasjeve më të rënda që ka ndodhur në Kosovë, që nga paslufta, për shkak se ka ndodhur në institucionin që sipas Kushtetutës, është institucioneve më të sigurta në RKS”, tha ai.

“Është një lloj ekzekutimi, në stilin e mafias. Duke e ekzekutuar të ndjerin brenda objektit të AKI-së dhe ën vendin e tij të punës”, tha ai.

Sipas përfaqësuesit të palës së dëmtuar, i dyshuari ka kryer tri- katër vepra penale në këtë rast: duke perfshirë vrasjen e rëndë, rrëmbimin (kidnapim), armbajtjen pa leje si dhe veprën sulm terrorist.

Skënder Musa

Sipas Musës, ata I besojnë Prokurorisë së shtetit, dhe kërkojnë hetim edhe për zyrtarët që kanë pasur obligim t’i kontrollojnë personat që hyjnë ndërtesë të AKI-së, dhe personat përgjegjës për stafin dhe sigurinë e tyre.

Ai ka kërkuar që edhe ndaj kryeinspektorit dhe zyrtarëve tjerë të fillojnë hetimet.

“Të hetohen zyrtarët që ia kanë mundësuar futjen e armës pa leje brenda objektit të AKI-së”, tha ai.

Musa ka paralajmëruar padi direkte edhe ndaj AKI-së si institucion, për mos marrjen e masave të mjaftueshme të sigurisë dhe shkaktimit të dëmeve fatal familjes së të ndjerit, i cili ka qenë mbajtësi i vetëm i familjes së tij 4 anëtarëshe, si dhe është përkujdesur edhe për mbesën e saj me të meta psikike dhe fizike.

Me padi do të kërkohet dëmshpërblimi material, shtoi ai.

Ndryshe, para disa ditësh shefi i sektorit të sigurimit në AKI, Valon Ibërdemaj kishte shtënë me dy plumba duke e lënë të vdekur Isa Sejdiun, i cili ishte udhëheqës i sektorit të kuzhinës.

Nga AKI kanë thënë se rasti nuk ka pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Por, e konfirmojnë se mbi viktimën shtiu një zyrtar i sigurimit të brendshëm.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave nga AKI, ditën kur ka ndodhur rasti tragjik.

Ndërkohë, para dy ditësh në Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka raportuar inspektori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, raportimi i inspektorit të përgjithshëm të AKI-së ishte shumë i mjegulluar, jo i saktë për atë që ka ndodhur ditën kur ka ndodhur vrasja

Ky Komision ka ftuar në raportim edhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka pohuar se Komisioni nuk ka kërkuar shkarkimin e askujt.

Musliu ka thënë se Komisioni vetëm ka kërkuar përgjegjësi dhe për këtë në mbledhjen e radhës ka kërkuar që të raportojë edhe drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni.