Lajme

Rashiq: Kemi mbetur serbët e askujt, të gjithë janë më mirë pa neve

05/20/2019 22:25
nga:L H

Kryetari i Partisë Progresiste Demokratike, Nenad Rashiq, në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka thënë se serbët në Kosovë e liderët e partive politike serbe që nuk kanë qëndrim dhe vijë zyrtare me partinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq e Listën Serbe, vazhdojnë të kenë presion, që ka eskaluar edhe me dhunë fizike, e për këtë nuk po reagon as Prishtina e as Bashkimi Evropian.

“Esenciale është që ju nuk e dini thellësinë e presioneve, presionin financiar, dhunën fizike që ka qenë pjesa aktive e metodologjisë e ushtruar nga ana e presioneve zyrtare dhe institucioneve të shtetit në Beograd dhe jozyrtare që kanë ndodh, kjo po vazhdon. Edhe mbështetja e heshtur nga ana e institucioneve të Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë përshtypje që ata persona që po ushtrojnë këto elemente negative janë lejuar që ta vazhdojnë ta bëjnë këtë. Nuk mund të ndalet ky presion në ndonjë moment, qytetarët serbë janë penguar në vazhdimësi”, ka thënë Rashiq gjatë intervistës për “Përballje”.

Rashiq fajësoi edhe Bashkimin Evropian për problemet që kanë në vazhdimësi komuniteti serb që jeton në Kosovë.

“Pjesëtarët e Bashkimit Evropian janë në një farë formë përkrahësit e këtyre veprimeve pasi që heshtin për këto veprime, po ashtu edhe heshtja e Prishtinës na tregon se nuk kanë aspak interesim për zhvillimin shoqëror të komunitet serb si pjesë aktive e institucioneve të Kosovës. Ne kemi mbet serbët e askujt. Të gjithë janë më mirë pa ne”, potencoi ai.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit duke thënë se procesi zgjedhor në këto ka qenë shumë kontraverz që nga momenti i dorëheqjes e deri te vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja. Rashiq ka treguar edhe pse partitë tjera serbe nuk kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.

‘’Nuk kishte garë demokratike… ka qenë vetëm nga një kandidat me një parti sepse kemi përvojë shumë të rëndë me kandidatët që nuk kanë qenë nga Lista Serbe edhe kanë përfunduar edhe me vrasje. Prandaj krejt këto rrethana kanë ndikuar që të mos ketë kandidat tjerë nga partitë serbe’ ka treguar Rashiq në intervistë.