Lajme

Raporti i ekspertëve për punësimet në MPJD përplasë pozitën me opozitën

09/20/2024 12:41
nga:N K

Prezantimi i raportit të ekspertëve për nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shkaktuar përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës. VV-ja kërkoi që ky raportim të shtyhet, por opozita e kundërshtoi për shkak se pamundësohet pagesa e ekspertëve.

Ndonëse ekspertët janë propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo e fundit sot e kundërshtoi raportin me të gjetura. Aty u tha se votimi i këtij raporti është i nevojshëm për t’i paguar ekspertët për punën që e kanë bërë.

Fillimisht, eksperti i angazhuar për këtë proces, Shkëlqim Jakupi, tha se raportin e ka dërguar në komisionin përkatës, por shtoi se është fillestar dhe i pa përfunduar.

Ai rekomandoi që të jepet hapësira kohore më e gjatë për ta përfunduar të gjithë raportin.

“Raportin e kem dërguar tash e dy muaj në komisionin përkatës. Është raport fillestar jo përfundimtar. Raporti është i ndarë në 10 kapituj kryesor sikurse organizimi i MPJD-së, emërimet, konkurset, menaxhimi i transfereve, emërimet të këshilltarëve e të tjera. Mungojnë të gjeturat e ekspertizës, për shkak mos përfundimit të punës, mos dëgjimit të dëshmitarëve posaçërisht kohës së shkurt për të nxjerrë një ekspertizë profesionale. Rekomandimet janë që ky raport nuk ka nevojë të shqyrtohet as miratohet nga Komisioni Hetimor, ne kërkuam që si ekspert në na vazhdohet mandati që ta përfundojmë përfundimisht ekspertizën. 1202 faqe kemi pranuar material në një kohë shumë të shkurtër, ju fillimisht keni angazhuar tre ekspert e sot jam vetëm unë. Në bazë të kësaj neve do të na duhej së paku edhe një muaj kohë për ta përfunduar unë këto tre kapituj. Nuk kemi pasur asnjë pengesë nga askujt nga Ministria por koha është e limituar. Te gjitha janë çështje të veçanta dhe analiza të veçanta”, tha Jakupi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi e sheh të arsyeshme votimin e këtij raporti.

“Do të pajtohesha nëse kjo do të ishte raportim përfundimtar, në intervistimin e dëshmitarëve e të tjera. Keni pasur një kohë shumë të shkurtër, shpresoj qe miratohet edhe lista e dëshmitarëve, vlerësoj që është vetëm një raport fillestar e kam lexuar me vëmendje dhe është në rregull”, u shpreh ajo.

Kryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj kërkoi që ky komision të votohet për shkak të mundit që kanë bërë ekspertët.

“Në mënyrë jetike ta votojmë këtë raport për punën që kanë bërë. Ky raport është që me pagu ekspertë për angazhimin që e kanë bërë, nuk po shoh arsye për ta shtyre këtë”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërsa deputeti i partisë në pushtet, Gazmend Gjyshinca, kërkoi që kjo mbledhje të shtyhet për të hënën.

“Po pajtohem që duhet paguar puna që është bërë, në anën tjetër vetëm sot ndodhet prezantimi nga eksperti, na duhet kohë për ta analizuar e të shohim çfarë është e zeza mbi te bardhën. Dhe e dyta prej grupit tonë mungojnë edhe tre, katër vetë tjerë. Nëse të hënën bëhet mbledhja kemi kohë për te parë se çka është shkruar dhe për ta votuar”, u shpreh Gjyshinca.