Lajme

Raportet e Kosovës me ShBA-në dhe BE-në në rrezik?

01/11/2018 10:07
nga:A B

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se shteti i Kosovës është në pozicion shumë të pafavorshëm me iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ai ka vlerësuar se rruga kah Bashkimi Evropian kalon duke kryer obligimet ndërkombëtare.

“Nëse kthehemi në retrospektivë dhe shohim rastet e vendeve të tjera me problematikë të ngjashme, atëherë përshtypja ime është se rruga kah Bashkimi Evropian kalon nëpër këto dhe jo vetëm këto obligime ndërkombëtare. Kroacia, për shembull, pati mbetur pezull në rrugën e vet të integrimit derisa ka bashkëpunuar plotësisht me gjyqësinë ndërkombëtare, e cila ka sqaruar çdo gjë para se asaj t’i hapej porta hyrëse dhe aderimi në Bashkimin Evropian. Megjithatë, tanimë vendi është në pozicion shumë të pafavorshëm me iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, aq më parë kur për të njëjtën është dhënë pajtimi njëherë paraprakisht”, ka deklaruar Hoti për gazetën Epoka e Re.

Ai ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Speciales mund të ndikojë edhe në procesin e njohjeve dhe në atë të organizatave ndërkombëtare.

“Edhe pa këtë problematikë Kosova në vazhdimësi është duke u ballafaquar me kontestim juridik dhe politik ndërkombëtar, ndërkohë që vendimi në fjalë implikon përgjegjësi ndërkombëtare të shtetit që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në rrugën kah BE-ja, njohjet dhe anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Hoti ka bërë me dije se me këto veprime Kosova po vë në sprovë serioze raportet me ShBA-në dhe BE-në. “Kjo tashmë është thënë në mënyrë të hapur dhe nuk përbën ndonjë sekret. Përtej interpretimit politik dhe juridik, mendoj se në kuptimin strategjik është shumë situatë e komplikuar për faktin se Kosova vë në sprovë serioze raportet e shkëlqyera me vendet tona mike, në veçanti me ShBA-në dhe BE-në. Mendoj se kjo është e paimagjinueshme dhe zgjidhja e kësaj dhe problematikave të tjera duhet të derivojnë nga vendimet e përbashkëta me miqtë tanë, pa të cilët ecja përpara është skajshmërisht e vështirë, nëse nuk themi e pamundshme”, ka theksuar ai.

Hoti ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën ka thënë se duhet të jetë pjesë e agjendës së Kuvendit në javën e ardhshme.

“Vërtet është për keqardhje zgjatja kaq e madhe e kësaj problematike. Çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet në njërin apo tjetrin variant. Është e pakuptueshme se si të mandatuarit paraprak mbajtën në sirtar këtë problematikë, ndërkohë që edhe këta aktualë nuk e procedojnë me ritmin e duhur. Mendoj se ajo duhet të jetë në agjendën e punës së Kuvendit nga java e ardhshme”, ka thënë ai, duke shtuar se në rastin më të mirë, Kosova në pjesën e dytë të këtij viti do ta fitonte liberalizimin e vizave.

“Nëse kryhen detyrat tona të shtëpisë të caktuara nga BE-ja, mendoj se Komisioni Evropian do ta reflektonte përmbushjen e kushteve të cilat eventualisht do ta merrnin edhe pëlqimin nga Këshilli Evropian që kosovarët, në rastin më të mirë, në pjesën e dytë të këtij viti ta fitonin regjimin e lirë të vizave”, ka deklaruar Hoti.

01/16/2018 21:37

Bozohoviç liderëve të Kosovës: Nëse nuk na mbroni, kriminelët në veri do të na vrasin si qentë