Lajme

Ramush Haradinaj: Si t’i besojmë Evropës për liberalizimin e vizave?

03/26/2019 16:02
nga:A. R.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur lidhur me deklaratat e Raportueses së Kosovës për vizat për Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, e cila ka thënë se liberalizimi i vizave mund të kushtëzohet me heqjen e taksës.

“Si t’i besojmë evropianëve se njëherë na kanë thënë dialogu, tash na thonë taksën – kush e di se çfarë na thonë më tutje”.

“Është bërë e vështirë t’i besojmë se a është e vërtetë kjo që thotë zonja në fjalë [Tanja Fajon]. Federica Mogherini dhe shefat e kësaj zonje kanë ardhë këtu dhe na kanë thënë ‘kryeni demarkacionin sepse e keni liberalizimin’”.

“Ne po punojmë rreth kësaj teme në shumë drejtime. Presidencën e Bashkimit Evropian e ka Rumania e cila është pozitive, sa i përket kësaj teme”.

“Jemi në temë dhe mbajmë shumë shpresë që do të vijë dita për liberalizimin e vizave. Na kanë thënë në të kaluarën që nuk vjen liberalizimi i vizave me automatizëm pas plotësimit të kushteve sepse Evropa ka proceset e brendshme dhe ne besojmë se kjo vonesë është për shkak të zgjedhjeve të tyre”.

Haradinaj ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në Evropë që nëse kanë të drejtë votë ta shfrytëzojnë atë dhe të jenë qytetarë aktivë të Evropës.

Shefi i Qeverisë ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi, Kyle Scott, që ka deklaruar se situata në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës është shumë komplekse, por nuk është e dobishme që të dyja palët të fajësojnë njëra-tjetrën.

“Dialogu është pa alternativë dhe duhet të vazhdojë. Ambasadori [Kyle] Scott me të drejtë e ka thënë se vendosja e pengesave për dialog ose fajësimi i vetëm njërës palë nuk është në rregull”.

“Unë sot vij nga tri vende të tri masakrave më tragjike që ka pësuar populli i Kosovës – Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe Suhareka”.

“Me gjithë këtë situatë jemi ulur në tavolinë. Imagjinojeni, tani t’i thuhet Kosovës plotëso kushte që të vish në tavolinë”.

“Bëj apel që të rikthehet tavolina e dialogut dhe të zgjidhen temat e hapura mes Kosovës dhe Serbisë – me njohje reciproke në kufijtë ekzistues ku do të kishim edhe tregti të lirë’.

04/20/2019 10:18

Zyrtare: Kaq persona u arrestuan mbrëmë nga Policia e Kosovës, si luftëtarë të ISIS-it