Lajme

Ramush Haradinaj ‘godet’: Edi Rama një ‘hajgarexhi’ – ideoi ndarjen e Kosovës dhe loboi për këtë ide

01/23/2020 23:51
nga:Gazeta Blic

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk pati një takim zyrtar me ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Haradinaj, në TopChannel, tha se “pata një bisedë telefonike dhe shqetësimi i tij është taksa për mallrat serbe”.

“Është shumë e rëndësishme që nëse duam përparim në zhvillimin ekonomik, tarifa prej 100 për qind duhet të hiqet. Kjo është diçka që duhet të ndodhë në të njëjtën kohë kur Serbia duhet të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, tha ambasadori Grenell, duke nënvizuar se këtë mesazh do të transmetojë edhe në Beograd.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre. Haradinaj pranon heqjen e taksës, vetëm nëse ka një draft marrëveshje me Serbinë, lidhur me bisedimet mes dy vendeve.

Haradinaj: Rama një ‘hajgarexhi’

Ramush Haradinaj foli për raportin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai e quajti Ramën një “hajgarexhi” i cili padinë kundër tij e ka quajtur një akt të turpshëm.

“Më lejoni t’ju them diçka. A ju duket mirë juve që Rama në takime me ndërkombëtarët ka sharë liderët kosovarë duke e quajtur njërin gënjeshtar, njërin hipokrit dhe njërin neo-marksist? Ju duket mirë që Rama shan liderët e Kosovës”, pyeti Haradinaj.

Haradinaj: 150 kosovarë janë vrarë duke luftuar në Siri

Ramush Haradinaj foli edhe për dobësimin e AAK-së në zgjedhjet e fundit të parakohshme.

“Unë nuk jam ai politikani që e harxhon kohën në media dhe pasurinë e hedh në biznese se kështu do i kisha fituar 30%. Unë jam ai politikan që në 2005 kam qenë në burg. 4 vite i kam bërë burg dhe i kam bërë për qëndrimet e mia. Kam thënë gjithmonë ndaj çdokujt se çështja e Kosovës do përfundojë me pavarësi. Nuk jam politikani ekstremist. Kam qenë kundër shkuarjes në luftë në Siri të kosovarëve. Aty kam humbur vota se u keqkuptova nga besimtarët e devotshëm. Sot unë i kam kthyer të gjithë ato gra e fëmijë nga Siria. Kanë vdekur 150 kosovarë atje dhe askush nuk mban përgjegjësi”, tha Haradinaj.

Haradinaj: Rama ideator dhe lobist për ndarjen e Kosovës

Ramush Haradinaj foli për raportin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“I kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës”, tha Haradinaj.

“Ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent. Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri Rama me marre dhe pafytyrësi bëri padinë i cili është akt i turpshëm”, tha Haradinaj.

A e ka dobësuar taksa Kosovën në aspektin ndërkombëtar? Përgjigjet Haradinaj

Një debat u zhvillua mes gazetarëve Alban Dudushi dhe Robert Rakipllari me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Rakipllari e pyeti nëse e kemi ne forcën për të kundërshtuar SHBA-në dhe a sjell kjo pasoja për Kosovën. Haradinaj u përgjigj se për çështjet e Kosovës duhet të flasë edhe Kosova.

“Jo, nuk sjell asnjë pasojë. Sot ne kemi bashkëpunime në aspektin e sigurisë me SHBA-në”, tha Haradinaj. Alban Dudushi tha se taksa 100% e ka dobësuar Kosovën në aspektin ndërkombëtar.

“A i keni marrëdhëniet e mira si më parë me Gjermaninë, Francën dhe BE-në?”, pyeti Dudushi.

“Po, madje shumë më mirë. Kemi 1 mijë herë marrëdhënie më të mira me Gjermaninë. Shkoni pyesni në Gjermani”, tha Haradinaj.

“Jeni i sigurt për këtë, sepse unë di që Kosova është dobësuar në aspektin ndërkombëtar, di presionin që ju është bërë për të hequr taksën”, vijoi Dudushi.

“Ku e dini ju për presionin dhe çfarë është folur”, vijoi Haradinaj.

Haradinaj: Taksa hiqet vetëm kur Serbia të njohë Kosovën

Ramush Haradinaj zbuloi se ka pasur një telefonatë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, zotin Grenell, ku kanë diskutuar për disa çështje për Kosovën.

“Unë po e zbuloj këtu tek ju se kam pasur një bisedë telefonike me zotin Grenell dhe kam pasur takime më përpara me të në Berlin”, tha Haradinaj.

“Nuk mund të hiqet taksa pa pasur një marrëveshje me Serbinë. Ai duhet të na sjellë një marrëveshje të konsoliduar me Serbinë dhe e heqim taksën”, vijoi Haradinaj.

“Unë e heq taksën kur Vuçiqi të njohë Kosovën. Nuk e heq taksën për të fituar zgjedhjet Vuçiqi në pranverë. Në qoftë se Serbia e njeh Kosovën, unë tani bëj mbledhje qeverie dhe e heq taksën”, tha Haradinaj.

“Për çështjet e Kosovës duhet të flasë edhe Kosova”, u shpreh Haradinaj në këtë emision.

Nuk përmbahet Ramush Haradinaj: I reagon shumë aahpër Baton Haxhiut

05/28/2020 23:21

Ramush Haradinaj: Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të gjitha palët ta respektojnë vendimin