Lajme

Ramush Haradinaj: Dijeni shumë mirë një gjë, asnjë borxh nuk ia kam Serbisë

05/15/2019 21:11
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se Kosova nuk i ka asgjë borxh Serbisë, dhe se po vazhdojnë dialogun me ta për ta siguruar njohjen.

Haradinaj në Debat Plus në Tv Dukagjini ka thënë se më nuk do të ketë kompromise me Serbinë.

“S’ka më kompromis me Serbinë. Nuk i kam borxh asgjë. Ata na kanë borxh neve. Janë dhjetëra mijëra të vdekur, njerëz të zhdukur e shumë dëme tjera. Po dialogojmë për me fitu njohjen nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për idenë e ndarjes së Kosovës, për të cilën insiston se ka vdekur si ide.

“Presidenti është president në bazë të Kushtetutës, por opsioni i ndarjes ka vdekur. Nuk do të ketë ndarje as shkëmbim territoresh. Opsioni i bashkimit të Luginës së Preshevës, dhe ndarja e Kosovës janë gjëra krejtësisht të ndryshme. Është biseduar edhe nëse varri i Isa Boletinit do të jetë në Kosovë apo në Serbi. Opsioni i këmbimit të territorit me Serbinë ka qenë duke u shqyrtuar. Edhe nëse ke shumë fuqi, kur të investosh në mënyrë të gabuar, i humb të gjitha, e mbetesh pa to”, ka thënë tutje Haradinaj. periskopi