Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka dhënë betimin solemn para anëtarëve të Asamblesë komunale dhe qytetarëve të pranishëm, ku theksoi se mandatin e tij do ta vazhdojë me punë dhe përkushtim të pandalshëm.
Ramosaj u shpreh i vendosur se përgjegjësitë ndaj projekteve zhvillimore dhe sfidave që e presin komunën nuk do të lejohen të cenohen nga asnjë kompromis.
“Si qytetar i këtij vendi do të vazhdoj të flas me punë dhe me angazhim edhe më të madh përballë shumë sfidave dhe projekteve tona zhvillimore që na presin. Dhe në këtë pjesë asnjëherë nuk do të bëjë kompromis”, deklaroi Ramosaj.
Duke e përmendur progresin e bërë në vite dhe sfidat me të cilat është përballur komuna, Ramosaj tha se puna do të përqendrohet në të gjitha fushat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Do të vazhdojmë me përkushtim për zotimet tashmë të deklaruara për çdo sektor të jetës; për arsimin, përshëndetësinë, për mirëqenien, infrastrukturën, zhvillimin ekonomik e turizmin, kulturën, rininë, sportin, trashëgiminë e kështu me radhë, duke qenë i bindur se po bëjmë punë të ndershme e të mirë për këtë qytet i cili nuk ka ekzistuar në vitin ‘99. Një qytet që është përballur me shumë mungesa, një qytet i cili e ka rilindur jetën me këta banorë”, u shpreh Ramosaj.
Ndërkohë, detyrën e kryesuesit të Asamblesë komunale e ka marrë Hajdar Sutaj, i cili gjatë fjalimit të tij vuri në pah prioritetet infrastrukturore dhe nevojat urgjente të komunës.
“Kuptohet se sfida kryesore do të jetë zgjidhja e disa problemeve jetike siç është kanalizimi i ujërave të zeza i cili është imediat për qytetarët, pastaj ndërtimi i qendrës akumuluese që do të zgjidhte problemin e ujit të pijes dhe ujitjes. Poashtu edhe ndërtimi i sheshit të qytetit, po edhe sidomos infrastruktura në bjeshkë të Deçanit që do t’i jepte një impakt zhvillimit të turizmit dimëror dhe veror si potencial i jashtëzakonshëm që ka komuna e Deçanit”, deklaroi ai.
Sutaj shtoi se realizimi i këtyre projekteve kërkon angazhim të madh institucional, por u shpreh optimist se mbështetja e Qeverisë së Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit – do të jetë vendimtare për përmbushjen e synimeve të komunës.


