Sporti

Ramos bashkon skuadrën e Real Madrid: Deri në vdekje me Zidane

10/21/2019 19:48
nga:Lorik J

Humbja me Mallorcën në transfertë 1-0, lëkundi stolin e Zidane tek Real Madrid. Rezultatet negative në Champions League dhe La Liga kanë bërë që Zidane të marrë kritikat për paraqitjen e skuadrës dhe në rast se nuk bën kthesën tek fitoret mund të shkarkohet nga stoli madrilen.

Pas furtunës në Madrid, në prag të sfidës me turqit e Galatasaray në Champions League, fjalën e ka marrë kapiteni Sergio Ramos. Ramos i ka dhënë besimin e duhur Zidane dhe ka bërë thirrje për bashkimin e skuadrës.

“E vetmja gjë që kemi në mend është të fitojmë. Pas rezultateve të fundit nuk kemi zgjidhje tjetër. Zidane? Ne jemi të bashkuar dhe jemi deri në vdekje me Zidane. Duhet ti japim të gjithëve idenë e një skuadrë të bashkuar dhe pranë teknikut të vet. Ne duhet të mendojmë vetëm për të fituar dhe jo për qëndrueshmërinë e teknikut. Zidane meriton vetëm respekt për të gjitha ato që ka bërë në Madrid. Ne dimë se cila është situata e tanishme”, u shpreh Ramos.