Cult

Ramë Lahaj kujton artistët Nexhmije Pagarusha, Avni Mula dhe Ismet Peja me një interpretim në Fest’ 59

12/23/2020 22:53
nga:Flutura Gashi

Sot u mbajtur nata finale e edicionit të 59-të të Këngës në RTSH.

Brenda kësaj nate nuk munguan as surprizat. Ndër to ishte edhe i ftuari special i festivalit, tenori me prejardhje nga Istogu, Ramë Lahaj.

Në këtë event Rama vendosi t’i rikujtojë ikonat e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, Avni Mula dhe Ismet Peja, teksa zgjodhi të këndojë këngët e tyre me shumë dashuri, shkruan GazetaBlic.

Ai bëri një bashkëbisedim në skenë me prezantuesin Blendi Salaj, teksa i kujtoj me shumë dashuri mjeshtrit e mëdhenjë të artit shqiptar.

Ai gjithashtu u pyet nga prezantuesi:

Duke qenë se keni arritur të jetë pjesë e skenave të famshme në botë, në cilat nga skenat nuk jeni ngjitur akoma.

“Për mua është kënaqësi të jem në mesin tuaj unë jam rritur me Festivalin, jam rritur me këto këngë të Festivalit e po ashtu me dëshirën për të qenë një ditë në skenën e Festivalit duke i përmbledhur të gjitha ato skenat që unë nuk kam kënduar akoma, kështu që për mua është vërtetë kënaqësi që sonte të jem këtu bashkë, edhe pse ndër vite unë kam marrë ftesën nga drejtori i Festivalit, por isha gjithnjë larg”, tha Lahaj.

Ai gjithashtu flet për vitin 2020, i cili ishte një vit i pazakontë për shkak të pandemisë me COVID-19.

“Këtë vit e kam marrë si vit reflektimi dhe kam pasur fatin që në rrethin tim të ngushtë familjar nuk e kemi vuajtur shumë problemin e pandemisë, e kam shijuar me njerëzit që ndër vite unë po këndoja dhe nuk kisha kohë e mundësi të takohesha e të kalonim kohë bashkë. E kam shfrytëzuar për të reflektuar për veten e për të ardhmen, e po ashtu për të kaluar kohë me miqtë e mi të dashur dhe familjen“, shtoi ai. /GazetaBlic/.