Sporti

Ramadani flet para derbit ndaj Gjilanit: Shkojmë për fitore, duam titullin kampion

3 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Dritës, Zekrijia Ramadani, ka folur para mediave para super derbit ndaj Gjilanit.

Ai tha se objektivi i skuadrës që e drejton është titulli i kampionit dhe për ta arritur duhet mposhtur çdo kundërshtar.

Ramadani ka folur për atmosferën në ekip para këtij dueli.

“Nesër është derbi i qytetit, derbi më i zjarrtë në Kosovë, por për ne, përveç derbit, kemi objektivin kryesor dhe ai është titulli kampion. Për ta arritur atë, duhet të mposhtim çdo skuadër”, ka deklaruar Ramadani.

Trajneri i Dritës ka vlerësuar përgatitjet e ekipit gjatë pauzës ndërkombëtare dhe beson se kjo do të ndikojë pozitivisht në performancën e lojtarëve.

“Kam parë një atmosferë të jashtëzakonshme në grup, më pozitive gjatë periudhës së pauzës së kombëtareve, dhe shpresoj që kjo atmosferë të reflektohet edhe nesër, që përballë rivalëve tanë të zhvillojmë një lojë agresive dhe mjaft të mirë”, është shprehur ai.

Sa i përket strategjisë për ndeshjen, Ramadani theksoi se Drita nuk ndryshon stilin e lojës për asnjë kundërshtar.

“Formulën Drita e ka që nga dita e parë dhe ne nuk përshtatemi ndaj asnjë kundërshtari. Ne kemi lojën tonë, idetë tona që i punojmë në çdo stërvitje dhe nuk ndryshojmë përballë askujt”, ka thënë ai.