Lajme

Ramadani: Cenimi i sigurisë kombëtare në komunikimin Mimoza Kusari – Millan Radojiçiq është shumë i qartë!

09/26/2024 22:55
nga:Burim Ramadani

Shkruan: Burim Ramadani

Shefja e Grupit Parlamentar në pushtet paska inkriminuar veten sot edhe më shumë, publikisht, sa i përket edhe komunikimit me kriminelin e arratisur, Millan Radojiçiq, edhe përmbajtjes së këtij komunikimi.

Pra, kur me një të arratisur nga drejtësia komunikohet për zbatimin e marrëveshjes për energji (që është marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së!), nuk do mend se kemi të bëjmë me cenim të sigurisë kombëtare.

Sepse, zbatimi i marrëveshjeve e sidomos atyre që mund të shihen si shtrirje e sovranitetit në veri është çështje e sigurisë kombëtare.
Rrjedhimisht, komunikimi me një kriminel të arratisur pikërisht për tema që janë arritur marrëveshje në Bruksel, është qartësisht cenim i interesit dhe sigurisë kombëtare.

Në një televizion në Shqipëri, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së paska dhënë një informatë shtesë:

“… ka qenë insistimi në komunikim i nënkryetarit Simiq medoemos ta thërrasë Milan Radoiçiq për të konfimuar që nuk do të ketë probleme në një proces i cili kishte të bënte me zbatimin e marrëveshjes së energjisë…”

Deri më tash, kurrë nuk e kam dëgjuar të ketë përmendur ‘energjinë’ si pjesë të komunikimit me kriminelin Radojiçiq.

Të mos harrojmë:

– Radojiçiq ishte bastisur nga Policia e Kosovës më 23 nëntor 2018. Që nga ajo datë, Radojiçiq nuk ka hyrë legalisht në Kosovë, për shkak të ndjekjes nga drejtësia.

– Në vitin 2021, Radojiçiq është sanksionuar në Listë të Zezë Amerikane.

– Në verë të vitit 2022, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së në pushtet, Mimoza Kusari Lila, ka komunikuar me të. Madje, më shumë se njëherë. Pra, një herë në zyre dhe një herë derisa ishte duke u kthyer në shtëpi, pasi – siç i ‘raporton’ vet – ka kryer takimet zyrtare në Kuvend.

Sot, paska thënë që pjesë e komunikimit ka qenë “… për të konfimuar që nuk do të ketë probleme në një proces i cili kishte të bënte me zbatimin e marrëveshjes së energjisë…”!

#RrefehuMimoza