Kryeministri shqiptar Edi Rama ka folur lidhur me situatën në Partinë Demokratike duke e cilësuar atë dramatike, derisa tha se policia ishte në sfidën e saj më të madhe në 30 vjet.
Ai deklaroi se Basha nuk kishte nevojë ta fortifikonte selinë, por mjaftonte që të kërkonte ndihmën e policisë së shtetit për ta mbrojtur atë.
“Policia e shtetit ishte në sfidën më të madhe në 30 vjet, se kurrë më parë s’e ka pasur sfidën të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që mund të shkojnë drejt gjakderdhjes. Nuk kishte nevojë të fortifikohej PD, mjafton të kërkohej ndihma e policisë për ta mbrojtur. Basha u mor me fortifikime, duke përjashtuar policinë e shtetit”, tha Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS-së.
Beteja për interesa vetjake mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilët i cilësoi dy kufoma politike, është duke çuar drejt shkatërrimit PD-në dhe opozitën, tha Rama.
“Asnjëherë nuk janë të zgjidhura problemet, ajo që është pak por e sigurt është që PS është në funksion të zgjidhjes së probleme të njerëzve, ndërsa PD në kërkim të zgjidhjes së problemeve të dy individëve; njëri kufomë politike me seli tjetri pa seli, njeri i mbyllur në selinë blu tjetri në listën e zezë. Një moment shumë dramatik për PD. Ne jemi të gatshëm për çdo bashkëpunim, por situata është shumë e vështirtë për momentin. Shpresojmë drejt një zgjidhjeje paqësore, shpresoj që dhuna të mbetet prapa”./ Euronews.al