Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvlerësoi letrën e mbërritur në adresë të qeverisë shqiptare nga ajo ruse, ku shprehej e shqetësuar për rritjen e tensioneve politiko-ushtarake në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë, por kemi ndarje shumë të qartë në këtë pikë. E gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike. Nuk ka lidhje fare me ne dhe me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Është një zhurmë brenda tij katundi, mes të marrëve që kanë marrë peng qytetarët e mirë dhe të arsyeshëm demokratë”, tha Rama.
Letra në fjalë, i është dërguar disa qeverive europiane dhe asaj amerikane e kanadeze.
Ajo u quajt nga Sali Berisha si një kërcënim i Rusisë për Shqipërinë, që sipas tij, vjen për shkak se Rama ka kapitulluar përballë Vuçiç dhe Putin.