Lajme

Ragip Veseli: Dua ta forcojë klubin, në të ardhmen pres suksese të mëdha nga Drenica

01/10/2019 15:47
nga:Lorik J

Skuadra e Drenicës me 7 janar ka zgjedhur kryetarin e ri të klubit, i cili është Ragip Veseli.

Në krye të klubit është emëruar Ragip Veseli, i cili ka premtuar se nuk do të ketë më kriza financiare dhe mungesa të pagave – gjithashtu shpreson se do ta bëjë Drenicën një klub sa më konkurrues dhe të papërshtatshëm për të gjithë kundërshtarët.

Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic’, kryetari i ri i klubit të Drenicës, Ragip Veseli ka shpalosur planet e tij.

Më poshtë mund të ndiqni intervistën e plotë me kryetarin, Veseli:

GazetaBlic: Para pak ditësh jeni zgjedhur kryetari i ri i klubit të Drenicës, cilat janë synimet tuaja për këtë stinor?

Ragip Veseli: “Po siç jeni njoftuar përmes faqes zyrtare të FC Drenica se në mbledhjen e mbajtur me datë: 07.01.2019, të kryesisë së klubit dhe në praninë e shumë sportdashësve dhe donatorëve, kemi zgjedhur kryesinë e re – ku disa prej tyre edhe kanë menaxhuar me kryesinë e kaluar dhe kryetarin. Sinqerisht, për ketë stinor do të mundohemi maksimalisht që të kemi stabilitet në të gjitha drejtimet, të vazhdojmë me organizim të mirë të kryesisë, shtabit teknik, trajnerëve dhe patjetër me punë intensive në përgatitje për lojtarët. Me të marrë detyrën bashkë bartësit e detyrave të secilit pozicion po punojmë që të ofrojmë mundësi dhe kushte të mira pune, dhe organizim që lojtarët të kenë disponimin dhe motivimin e plotë për punë”, tha fillimisht Veseli.

GazetaBlic: Jemi duke kaluar në merkaton e janarit dhe klubi juaj ka pasur disa përforcime mjaft të shumta, a do të ketë ardhje apo largime tjera nga klubi?

Ragip Veseli: “Tashmë veç kemi filluar stërvitjet dhe me lojtarët kemi rinovuar kontratat dhe jemi në proces të përmbylljes me të gjithë, kurse sa i përket largimeve, nisur nga kjo situatë nuk do të ketë. Me prurjet e reja në klubin tonë kemi nis qysh në ditën e parë dhe me huazimet e fundit ku dy lojtarë prej tyre do te jenë zyrtarisht me huazim – ndërsa dy të tjerët janë tani në prova, ku sipas cilësive dhe kualitetit ata do te përfshihen me kontrata. Gjithashtu ditëve në vijim jemi në komunikim dhe për ndonjë prurje të mundshme që neve na nevojitet, për të cilat gjithsesi se do të njoftoheni me kohë.”

GazetaBlic: Nuk jeni shumë larg pozitave të para, na tregoni se cili është plani juaj – për cilën pozitë do të luftoni?

Ragip Veseli: “Duke pasur parasysh pozitën në të cilën ndodhemi në tabelë dhe faktin që jemi eliminuar nga Kupa, do të mundohemi që maksimalisht ta ruajmë pozitën – duke u përpjekur edhe për pozicionim sa më të mirë.”

GazetaBlic: Së fundmi ka pasur polemika se klubi i Feronikelit ka “kapur” Drenicën, duke theksuar se ka investitorë nga Feronikeli që po ndihmojnë Drenicën, sa qëndron kjo?

Ragip Veseli: “Drenica me ketë stabilitet ka arritur deri këtu falë kryesisht donatorëve – bizneseve, sportdashësve në mbështetje po ashtu nga Komuna dhe ka arritur të menaxhohet mirë me një kryesi të zgjedhur aq hapur dhe transparente, duke ju dhënë mundësinë të menaxhojnë njerëzve që e duan futbollin dhe që kanë vullnet dhe moral ta shtyjnë tutje drejt sukseseve. Drenica falë donatorëve solidë, njerëzve vullnetmirë dhe komunës ka arritur dhe po arrijnë të mbahet mirë, dhe për ketë kemi detyrim të madh ta shtyjmë tutje drejt sukseseve, dhe këtu s’kemi të bëjmë asgjë me Feronikelin. Investimet në klubin ‘FC Drenica’ vijnë zyrtarisht në vija te shëndosha financiare ku zyrtarizohet çdo investim nga cilado kompani -përmes llogarive pasqyrohet drejt dhe me raporte financiare për të cilat janë te hapura, andaj me këtë rast do ta falënderoja secilin prej tyre të cilët po ashtu dhe më kanë besuar edhe detyrën e menaxhuesit të klubit.”

GazetaBlic: Katër huazime nga Feronikeli, rregullorja na lejon vetëm dy huazime nga një klub. Cili është skenari i kësaj?!

Ragip Veseli: “Sa i përket katër huazimeve ne edhe më herët kemi kërkuar lojtarët si Diar Prokshin dhe Argjend Bardhin, të cilët tashmë veç i kemi huazuar, ndërsa për dy lojtarët Nicolas Andrews dhe Prince Balde, këto ditë jemi në prova dhe duke shikuar tutje do të vendosim kontrata. Këtu kemi të bëjmë sigurisht me mundësinë dhe dëshirën që klubin tonë ta forcojmë tutje drejt sukseseve te reja”, përfundoi Ragip Veseli.

/GazetaBlic/Lorik Jashanica/