Adrien Rabiot është në vitin e fundit të kontratës me Juventusin. Mesfushori francez mund të largohet nga Torino, por për të mësuar më shumë rreth fatit të tij duhet pritur fundi i sezonit.
Pasi evitoi humbjen shtëpiake ndaj Salernitanës së vendit të fundit me golin e realizuar në minutat shtesë, Rabiot, i cili mbajti shiritin e kapitenit, foli për shtypin. Duke konfirmuar konfuzionin që ekziston te bardhezinjtë.
“Po e përsëris edhe njëherë: nuk do të bisedoj me drejtuesit derisa të mos kemi arritur objektivat tona. Pas finales së Kupës do të ulem të flas me ta.
Jam i lumtur dhe krenar që jam pjesë e Juves, duke udhëhequr këtë skuadër me djem të rinj. Por, në futboll është shumë e rëndësishme të bisedosh.
Ka gjëra që duhen thënë, por kemi kohë për ta bërë një gjë të tillë. Unë po flas në emër të grupit. Janë të shumtë ata që nuk e dinë se çfarë do të bëjnë vitin e ardhshëm…
Madje edhe mes stafit ka pasiguri. Shumë prej nesh duhet të meditojnë për të ardhmen. Nuk e di nëse do të jem ende këtu.
Por, unë do të jap gjithçka dhe do të përpiqem të fitoj për ta vendosur ekipin në kushtet më të mira për vitin e ardhshëm“, theksoi 29-vjeçari.