Lajme

Quni: Përmendja e ‘vendit pa institucione’ nga Prattipati nuk ishte rastësi, por pasqyrë e ngërçit politik që po dëmton zhvillimin dhe besueshmërinë e Kosovës

08/05/2025 18:52
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se deklarata e të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, është një mesazh i qartë dhe domethënës për partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Ai për GazetaBlic e përmendi rëndësinë e theksimit për “vendin pa institucione” dhe si kjo lidhet me situatën aktuale në Kosovë.

“Deklarata e të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ku ajo theksoi se administrata Trump nuk mbështetet te një vend pa institucione, por kërkon aleatë të fortë, është një mesazh i qartë dhe domethënës për vendet partnerë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.”

Quni nënvizoi se përmendja e “vendit pa institucione” nuk ishte rastësi, por referonte drejtpërdrejt ngërçin politik në Kosovë, ku mungesa e institucioneve funksionale po dëmton zhvillimin dhe po e bën vendin më pak të besueshëm si partner.

Për më tepër, sipas tij, një aleat i fortë është ai vend që ka qeverisje të qëndrueshme, institucione demokratike të punësuara dhe ku sundimi i ligjit dhe llogaridhënia janë prioritet.

“Një aleat i fortë është një vend: që ka një qeverisje të qëndrueshme dhe institucione demokratike që funksionojnë pa ndërprerje, ku sundimi i ligjit dhe llogaridhënia janë parësore dhe që është i aftë të marrë vendime dhe të zbatojë politika që avancojnë interesat e përbashkëta.”

Ai paralajmëroi se vendet me paqëndrueshmëri politike konsiderohen rrezik dhe partnerë të dobët që pengojnë objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së.

“Një vend i paqëndrueshëm politikisht shihet si një rrezik dhe një partner i dobët, i cili mund t’i pengojë objektivat e perbashkëta te politikës së jashtme.”

Quni theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit në rajon për Shtetet e Bashkuara, duke thënë se vendet që nuk sigurojnë stabilitet të brendshëm nuk do të konsiderohen aleatë të vlefshëm.

“Për SHBA-te, siguria dhe stabiliteti në një rajon janë parësore. Një vend i cili nuk mund të sigurojë stabilitet të brendshëm do të konsiderohet një barrë dhe jo një aleat i vlefshëm.”

Ai përmendi edhe ndikimin negativ të ngërçit politik në Kosovë në humbjen e mundësive ekonomike dhe interesin e SHBA-së për bashkëpunim ekonomik të drejtë dhe përfitues.

“Deklarata poashtu thekson se ngërçi politik në Kosovë po shkakton humbjen e mundësive ekonomike. Kjo tregon se administrata SHBA-se është e interesuar në marrëdhënie ekonomike të drejta dhe bashkëpunim që sjell përfitime konkrete për të dyja palët.”

Në përfundim, Quni njoftoi se mesazhi për çdo vend që kërkon të forcojë partneritetin me SHBA-në është i qartë: kërkohen institucione të qëndrueshme dhe një qeveri funksionale.

“Për çdo vend që kërkon të forcojë partneritetin me SHBA-në, mesazhi është i qartë: është e domosdoshme që vendi të ketë institucione të qëndrueshme dhe një qeveri funksionale.”

“Në përgjithësi, deklarata e Anu Prattipati përfaqëson një qasje të fortë të politikës së jashtme amerikane, ku aleatët vlerësohen bazuar në forcën e tyre të brendshme, stabilitetin dhe aftësinë për të kontribuar në interesat e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara”.

/GazetaBlic/

Prattipati: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione