Cult

Qosja: Kosova ka humbur shumë kohë

11/27/2017 09:32
nga:Gazeta Blic

Me rastin e shënimit të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, akademik Rexhep Qosja, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka folur për Shqipërinë dhe Kosovën.

Sipas tij, Shqipëria, shikuar historikisht, ka ecur përpara, është zhvilluar e po zhvillohet, kurse për Kosovën thotë se ka humbur shumë kohë në tri marrëveshjet e gabuara; pranimi i Marrëveshjes së vijës kufitare me Malin e Zi, siç e kërkonte Mali i Zi, krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, siç e kërkonin serbët e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë, dhe krijimi i Gjykatës Speciale. “Gjendjen tonë politike e shoqërore në këtë kohë e shënojnë shumë të këqija, prandaj ndjej nevojë që t’ia bëj popullit një lutje: Hidhërohu popull!”, ka thënë Qosja.

Duke folur për zgjedhjet lokale, akademik Qosja ka thënë se AAK-ja ka korrur suksesin më të dukshëm në këto zgjedhje, kurse Lëvizja Vetëvendosje thotë se mund të ketë kaluar pak më mirë se në zgjedhjet e kaluara lokale, por jo si e sa është pritur.

Ndërkaq për PDK-në thotë se ishte dështuesja e këtyre zgjedhjeve lokale. Në këtë intervistë Qosja ka dhënë edhe vërejtjet për Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

“Gjatë këtyre viteve, prej se është krijuar shteti shqiptar, Shqipëria, i ka provuar gati të gjitha trajtat politiko-shtetërore dhe kushtetutare-juridike: despotinë, tiraninë, diktaturën, demokracinë, pseudodemokracinë. Ka provuar rendin njëpartiak dhe rendin shumëpartiak. Ka provuar totalitarizmin, populizmin, anarkizmin, autoritarizmin! Tani po përjeton qeverisjen e ligjshme, të përfaqësuar prej të zgjedhurve në zgjedhje të lira e demokratike, dhe përpjekjet mjaft të egra të opozitës për pushtet paralel. Gjatë këtyre 105 vjetëve Shqipëria ka provuar rënie dhe ngritje, atdhetarizmin më të përkushtuar të predikuar e të sendërtuar edhe me mjete totalitariste si në kohën e komunizmit dhe atdhetarizmin e komprometuar prej propagandave që fyejnë shtetin, që fyejnë mentalitetin, që deshën s’deshën autorët e kësaj propagande, ua krijojnë të huajve bindjen se shqiptarët – popull i njohur me traditë vlerash të larta, na qenkan popull pa vlera etike! Dhe, kjo po ngjet sot në Shqipëri – po e bën paria e PD-së. Megjithatë, Shqipëria, shikuar historikisht, ka ecur përpara, është zhvilluar e po zhvillohet, është bërë edhe me shtetin e dytë shqiptar, me Kosovën shtet i lirë e i pavarur, po zhvillohet dukshëm urbanizmi i saj, po bëhen përpjekje gjithnjë e më të dukshme për mirërritjen e brezit të ri dhe për mirëjetesën e popullit”, tha ai.

12/16/2017 18:29

Kritika e Pacollit se Shqipëria s’ka bërë sa duhet për pavarësinë e Kosovës, bën bujë në Tiranë