Lajme

Qindra qytetarë në sheshet e Prishtinës, po presin për ta nderuar Clinton dhe Albright

06/12/2019 14:32
nga:L H

Ashtu siç dolën 20 vite më parë për të pritur forcat e armatosura të NATO-së që po hynin në Kosovë për ta çliruar Kosovën, edhe sot 20 vite pas qytetarë të shumtë kanë dal në sheshet kryesore të Prishtinës për të festuar dekadën e dytë të çlirimit të vendit.

Qytetarët kishin edhe një arsye për të dal në sheshe.

Dëshironin të shihnin nga afër ishh presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, dy personalitete që ndihmuan lirinë e Kosovës.

Përkundër temperaturave të larta të moshuar e të rinj ishin në sheshet e kryeqytetit për të përcjell ceremoninë kryesore, dhe me të përfunduar himni i Kosovës të gjithë qytetarët e pranishëm kanë duartrokitur duke shprehur kështu falënderimin e tyre ndaj ish presidentit Bill Clinton dhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Shumë prej tyre mbanin në duar flamurin kombëtar e shumë të tjerë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Disa fëmijë kishin veshur edhe rroba që ngjanin me uniformën e ushtrisë.

Në ceremoni kishte edhe shumë qytetarë të Kosovës që kanë ardhur edhe nga diaspora e rajoni për të ndarë gëzimin e kësaj dite.

Nga Gjermania për të festuar sot kishte ardhur Fata Mehmeti e cila tha se sot krahas gëzimit për këtë ditë ajo po ndihet shumë krenare që në këtë manifestim kanë ardhur edhe Clinton dhe Albright.

“Shumë jam e lumtur i uroj Kosovës dhe të gjithëve pavarësinë dhe tash e pas krijimin e bashkimit kombëtar…Ndihem shumë krenare që kanë ardhur me na respektua dhe besoj që kemi sot një gëzim të madh presim diçka më tepër”, tha Mehmeti.

Për të përshëndetur dy figurat amerikane dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj shtetit amerikan për çlirimin e Kosovës në sheshin “Skënderbeu”, kishte dal edhe i moshuari Zymer Ademi i cili tregoi momentin se si e kishte marr vesh për hyrjen e NATO-së në Kosovë.

“Atëherë mos më pyet se nuk e di as vet duke ikur poshtë e përpjetë nuk e di as unë…Zoti u ndihmoftë, të gjitha të mirat Zoti ia dërgoftë Amerikës”, u shpreh ky qytetar.

Për të festuar 20 vjetorin e trupave të NATO-së në Kosovë nga Korça kishte ardhur edhe Elida Jorgani e cila gjatë luftës u kishte dhënë ndihmë mjekësore ushtarëve të UÇK-së që ishin të plagosur kryesisht atyre të zonës së Koshares.

Duke u shprehet tejet e lumtur që sot ndodhet siç tha ajo në Dardaninë e saj, Jorgani u shpreh se populli shqiptar i ka borxh shumë Amerikës dhe shteteve të saj aleate që e shpëtuan nga gjenocidi serb.

“Kam ardhur nga Shqipëria sepse është një ditë e madhe për gjithë popullin shqiptar, ia kemi me borxh Amerikës, ia kemi me borxh shteteve aleate që na ndihmuan të shpëtojmë nga krimi serb…Mirënjohje respekt pa fund për miqtë tanë më të mëdhenj të kombit shqiptar është privilegj që ata janë në mesin tonë….20 vite më parë unë isha në Tropojë në Bajram Curr isha në spitalin e qytetit Bajram Curri dhe atje ndihmoja të sëmurët dhe të plagosurit që vinin nga fronti i luftës nga Zherka, nga Kosharja dhe pa dashje shkonim i merrnim të plagosurit, të vrarët”, thotë Jorgani.

Tejet i emocionuar dhe i lumtur që sot po arrijnë të festojnë lirinë e Kosovës u shpreh edhe Hetem Ferizi, i cili enkas për këtë manifestim kishte ardhur nga Gjermania.

Ai tha se ish presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright janë njerëz të mëdhenj për historinë e popullit shqiptar.

“Unë sot e di ditëlindjen time të dytë për arsye se ka ardhur njeriu më i madh, njeri i cili e ka shpëtua këtë popull bashkë me sekretaren amerikan Albright…70 vite i kam nga Gjermania kam ardhur vetëm e vetëm për t’i parë se ndoshta nuk jetoj më për të parë një njeri të madh që është në historinë dhe zemrën e popullit shqiptar”, tha Ferizi.

Për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, dhe hyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë kanë ardhur figura të rëndësishme siç është ish presidenti amerikan, Bill Clinton, ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti shqiptar, Iliri Meta, Ish presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq etj.

Teksa po mbahej tubimi kryesor një numër i madh i forca speciale të Policisë së Kosovës po kujdeseshin për sigurinë, madje kishte edhe forca special me snajperë.

Ish presidenti amerikan Bill Clinton dhe mysafirët tjerë duke filluar nga ora 14:00 pritet të parakalojë nëpër sheshin qendror të Prishtinës, e qytetarë të shumtë do të kenë rastin që ta shohin e përshëndesin.