Lajme

Qeverinë dhe Kuvendin e presin punë të mëdha, këto janë projektligjet me prioritet për 2020-në

01/15/2020 17:05
nga:B. D

Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës janë duke e pritur çështje të cilat kërkojnë trajtim të menjëhershëm, ndërkaq Qeveria e re duhet të trajtojë disa projektligje që janë me prioritet për vitin 2020 si projektligjin për Buxhet, atë për Qeverinë, projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe atë Antimafia.

Kështu kanë vlerësuar organizatat të cilat e bëjnë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, si Instituti Demokratik i Kosovës dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Blerta Aliu nga KDI në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se Kuvendi i ri i Kosovës duhet ta ketë prioritet miratimin e Rregullores së re të Punës.

“Kuvendin e Kosovës e presin çështje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm siç është miratimi i buxhetit për këtë vit fiskal. Pastaj ligjet e tjera, lidhen me prioritetet që do t’i përcaktojë kjo legjislaturë dhe gjithashtu agjendën legjislative që pritet ta përgatisë Qeveria. Megjithatë ne konsiderojmë se Kuvendi i ri duhet me prioritet të bëjë miratimin e Rregullores së re të Punës, e cila përbën një mundësi unike për legjislaturën e re t’i trajtojë me prioritet disa mangësi që e kanë përcjellë punën e Kuvendit në vitet e kaluara”, ka thënë Aliu.

Ndër të tjera, Aliu tha KDI ka vlerësuar së është në interes të publikut dhe qeverisjes së mirë që Kuvendi të shtyjë përpara edhe temat si Reforma Zgjedhore, Ligji për financimin e subjekteve politike, Ligji për lobimin dhe Konsensuesi për dialogun Kosovë-Serbi.

“Po ashtu në kuadër të platformës ‘Kuvendi 2020’, që kishte lansuar KDI javë më parë, me qëllim që të rrisë debatin mbi transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e institucionit të Kuvendit, ka vlerësuar se është në interes të publikut dhe qeverisjes së mirë që Kuvendi të shtyjë përpara edhe temat si: Reforma Zgjedhore, Ligji për financimin e subjekteve politike, Ligji për lobimin dhe Konsensusi për dialogun Kosovë-Serbi”, theksoi ajo.

Aliu gjithashtu foli për legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

“Ndërkaq nëse shikojmë të dhënat e vitit që lamë pas, Kuvendi i Kosovës kishte zhvilluar punimet e sesionit pranveror 2019 pa një plan vjetor të punës përkundër që me Rregullore të Punës është e përcaktuar që të miratohet një i tillë. Sa i përket agjendës legjislative, Kuvendi kishte nisur punimet për vitin 2019 me 55 projektligje në procedurë të bartura nga viti paraprak, të cilat nuk kishin arritur të përfundonin pavarësisht planifikimeve. Bazuar në programin legjislativ 2019 të Qeverisë për Kuvendin, projektligjeve të bartura nga viti paraprak dhe planeve të punës së komisioneve për këtë vit, numri i projektligjeve të parapara për shqyrtim ishte 143. Gjatë punimeve të sesionit pranveror, Kuvendi ka arritur që të miratojë 29 ligje apo 20% të numrit të përgjithshëm të projektligjeve që do të duhej të shqyrtoheshin brenda këtij viti. Ndërkohë, në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim kishin mbetur edhe 43 projektligje (30%), ndërsa 71 projektligje (50%) nuk janë përgatitur për procedim në Kuvend”, ka thënë ajo.

Po ashtu, drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha, ka thënë për Telegrafin se gjëja e parë që e pret Kuvendin e ri është miratimi i planit të ri legjislativ dhe ky plan varet nga programi qeverisës.

“Janë një sërë ligjesh të cilat janë kthyer në pikën zero, e kemi detyrim t’i miratojmë apo janë aktualisht të pezulluara e për të cilat Qeveria e re duhet të vendos se si do t’i trajtoj. Pos fillimit të reformës substanciale të vetingut ndaj të gjitha institucioneve që kontribuojnë në krijimin e një shteti ligjor e të drejtë, reformë që do të duhej të mbështetej në legjislacion konkret, disa prej ligjeve që duhet të trajtohen me prioritet nga Qeveria e re janë: Ligji për Buxhet, Ligji për Qeverinë, Ligji për Financimin e Subjekteve Politike dhe Ligji Antimafia. Në anën tjetër kemi dy nga tre ligjet e pakos së ligjeve të administratës publike të cilave Gjykata Kushtetuese u ka vënë masa të përkohshme, pra janë aktualisht të pezulluara”, ka thënë ajo.

Loxha ka thënë se e natyrës urgjente është Ligji për Buxhetin për vitin 2020.

“Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar, rrjedhimit ka kompetencën të ushtroj funksionin e tij legjislativ, pra ta miratoj buxhetin”, pohoi Loxha.

Ajo tregoi se si bëhet propozimi i Projektligjit për buxhet.

“Projektligjin për buxhet e propozon ose Qeveria ose përmes iniciativës legjislative, Komisioni për buxhet. Qeveria në dorëheqje ka pas përgjegjësinë që qysh në prill të filloj punën për hartim të Projektligjit për buxhet për vitin 2020 dhe deri në tetor ta dërgoj të njëjtin në Kuvend. Meqenëse çdo iniciative ligjore kthehet në pikën zero me dorëheqjen e Qeverisë dhe deri më tani nuk është arritur marrëveshja për koalicion, rrjedhimisht krijim të Qeverisë, Kuvendi mund ta bëjë këtë përmes iniciativës legjislative nga Komisioni për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës dhe ta miratoj buxhetin”, u shpreh ajo.

Loxha po ashtu tha se është e rëndësishme Ligji për Qeverinë.

“Ngjashëm, dy paritë të cilat po negociojnë për të arritur marrëveshjen për koalicion qeverisës, kanë premtuar se do të fillojnë mandatin me 12 në vend të 21 ministrive. Kjo ngërthen në vete riorganizimin e administratës dhe ri-sistemimin e shërbyesve civil. Prandaj është e rëndësishme që Qeveria e re të vendos nëse do ta rregulloj këtë me Ligjin për Qeverisë apo do ta lë në diskrecion të çdo qeverie”, përfundoi ajo.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 26 dhjetor, kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 75 vota.

08/10/2020 14:55

Vjen njoftimi i fundit nga Trusti për tërheqjen e 10%