Lajme

“Qeveria teknike opsionale për Kosovën”

01/22/2020 15:23
nga:Gazeta Blic

Qeveria teknike me një përbërje prej të gjitha partive politike parlamentare po shihet si opsion për Kosovën.

Dështimi në formimin e ekzekutivit, kur kanë kaluar mbi tre muaj nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë për analistët politikë jep sinjale se mund të ketë skenar të tillë për të mos pasur krizë institucionale.

Por, kjo nga Lëvizja Vetëvendosje, që është partia fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike, si partia e dytë që po tentojnë të formojnë koalicionin qeverisës po shihet si e panevojshme.

Politologu Belul Beqaj thotë për KosovaPress se në rastin e dështimit të formimit të koalicionit mes VV-së dhe LDK-së duhet të shihet si opsion për Kosovën edhe qeveria teknike.

“Qeveria teknike është një ide e imja e kamotshme se shoh shumë diversitet në kuadër të subjekteve politike. Në anën tjetër kemi nevojë të jashtëzakonshme për ndryshime kushtetuese dhe të sistemit zgjedhor. Por po më duket sa është ajo e nevojshme është e madhe edhe rezistenca e atyre që e shohin si rrezik për veti këtë”, thotë Beqaj.

Se ka mundësi për një bashkëpunim ndërmjet partive politike në ekzekutiv e thotë edhe analisti politik, Rasim Aliaj. Por, sipas tij kjo duhet të ketë mandat vetëm njëvjeçar.

“Ka skenarë të tillë, nëse jo zgjedhjet e rejat të parakohshme mund të jetë një qeveri teknike. E cila do të ishte me një mandat njëvjeçar dhe jo dyvjeçar, e cila do të çonte tutje edhe procesin e buxhetit. Mirëpo edhe proceset tjera të rëndësishme”, thotë ai.

Ndryshe prej këtyre u shprehën dy partitë politike që po synojnë të formojnë koalicionin qeverisës.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti për KosovaPress thotë se qeveria teknike është e panevojshme, derisa bën thirrje të gjendet formula për të themeluar institucionet e reja sa më shpejt.

“Nuk ka nevojë, nuk e shoh të nevojshme. Duhet të gjendet formula sa më parë edhe vullneti sa më parë që të themelohet institucionet e reja”, thotë ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka në një përgjigje me shkrim thotë se populli i Kosovës nuk është përcaktuar për një qeveri teknike.

“Jo, populli i Kosovës nuk është përcaktuar për qeveri teknike. Vullneti i qytetarëve më 6 tetor ka qenë i qartë, ata duan ndryshime dhe për atë e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje! për të udhëhequr me qeverinë e ardhshme”, u shpreh ai.

Mandatimi për kryeministër i Albin Kurtit ka bërë që të rrjedh afati Kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë. Derisa kanë mbetur edhe 13 ditë kohë ende nuk ka një përafrim të qëndrimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për bashkëqeverisje.

Në rast dështimi dy partitë kanë proklamuar se nuk do të tentojnë të bëjnë koalicion me partitë e tjera parlamentare, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

02/27/2020 21:15

LDK paralajmëron tërheqjen nga qeveria nëse nuk hiqet taksa pa kushte