Lajme

“Qeveria e LDK-së, pritet të jetë qeveri me ministra të dënuar për korrupsion”

04/30/2020 13:27
nga:Norë Kelmendi

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se LDK-ja i ka nisur keq negociatat me partnerët e koalicionit për formimin e qeverisë së re. Ai thotë se në ekzekutivin e ri që po synohet të udhëhiqet nga partia e Isa Mustafës mesazhet janë të qarta se do të jetë “megalomane”, dhe me ministra të dënuar për vepra të korrupsionit.

Përkundër këtij pretendime që po tentohet të votohet një qeveri e re, pa shkuar në zgjedhje, Miftaraj thotë se rendi kushtetues në Kosovë nuk duhet të cenohet.

Për këtë arsye i bëri thirrje presidentin, Hashim Thaçi se para se të dekretojë të propozuarin e LDK-së për kryeministër t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime për të drejtën e nominimin që i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti e parë.

“Është mesazhi i parë që si duket prapë do të kemi qeveri megalomane me numër të madh të ministrave, zëvendëskryeministrave, me siguri edhe të zëvendësministrave. Qasja e dytë është që në këtë qeveri do të kemi prapë ministra që janë të akuzuar për korrupsion, apo kanë qenë të dënuara për vepra korruptive. Siç është rasti me të propozuarën për ministre të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla. Është një fillim jashtëzakonisht i keq, jo premtues dhe që e ulë standardin që e ka vendosur qeveria Kurti”, thotë ai.

Pas këtij veprimi të Thaçit, Miftaraj thotë se Gjykata Kushtetuese në një periudhë të shpejt kohore do të ushtronte rolin e saj.

“Presidenti i Republikës do të duhej të dërgonte një letër në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me të drejtën e nominimit, apo shtjerrjen e së drejtës për të nominuar nga partia fituese. Gjykata Kushtetuese në rastin konkret do të duhej të ushtronte rolin e saj vital në interpretimin e kushtetutës sidomos në situatat e tilla… Gjykata Kushtetute dhe presidenca nuk duhet të lejojnë në këtë rast të kemi shkelje të kushtetutën, e cila mund të vërtetohet në një fazë të mëvonshme, potencialisht kur të kemi votim të qeverisë së re”, u shpreh ai.

Dje LDK-ja ka nënshkruar marrëveshje politike për bashkëqeverisje me AAK-në dhe Listën Serbe, ndërsa sot pritet të finalizojë marrëveshjet edhe me Nismën, AKR-në dhe minoritet jo shumicë.

Këto pretendime të për formim të qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të kaluara është duke i kontestuar. Sipas tyre posa presidenti të bëj publik dekretin e mandatarit për kryeministër nga LDK-ja do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

05/26/2020 11:01

Hoti flet sikur të ishte kryeministër: Kemi filluar komunikimin për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike