Lajme

Qeveria e Kosovës s’ka plan për Asociacionin

03/10/2018 16:35
nga:Q F

Pas Demarkacionit, problemi më i madh për qeverinë Haradinaj po cilësohet formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Përmbushjen e kësaj marrëveshje të Brukselit tash e sa kohë e kanë kërkuar deputetët e Listës Serbe, kurse kohëve të fundit ka reaguar edhe Beogradi zyrtar. Madje ministri serb i mbrojtjes kërkoi nga Lista Serbe ta rrëzojë qeverinë, nëse nuk formohet Asociacioni.

Kjo temë u diskutua edhe në vazhdimin e dialogut teknik që ndodhi gjatë muajit mars, dhe gjithashtu pritet të jetë krye temë në takimet tjera që do të mbahen nga 19 deri më 21 mars. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

Ajo kërkoi në mënyrë direkte që Kosova ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.

“Që nga fillimi duhet ta kenë të qartë dy palët që Asociacioni duhet të zbatohet pa vonesa. Kjo vlen edhe për të gjitha marrëveshjet e tjera që janë arritur”, ka thënë dje Kocijançiq për mediat serbe.

Por pavarësisht këtyre paralajmërimeve, qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë asnjë veprim që kjo marrëveshje të zbatohet. Të paktën kështu ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi.

Në këtë faze, Qeveria e Kosovës nuk ka filluar hartimin e ndonjë plani konkret”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së qeverisë.

Gashi tutje ka sqaruar edhe për mënyrën se si do të hartohet drafti i kësaj marrëveshje. Ajo ka thënë se statuti draftohet nga ekipi të cilin e kishte krijuar qeveria e kaluar që njihet si “Ekipi Menaxherial”

“Plani i zbatimit apo Statuti draftohet kur Qeveria e Kosovës urdhëron ekipin e krijuar qysh në 2016-tën nga Qeveria e kaluar, ekip ky që quhet ‘Ekipi menaxherial’”, ka thënë Gashi për lajmi.net

Ky ekip që është përmendur nga qeveria e tanishme, ishte krijuar në vitin 2016 gjatë kohës që kryeministër ishte Isa Mustafa.

11/25/2018 22:23

Liberalizimi i vizave nuk është në agjendën e Këshillit të BE-së?- Flet ministrja Hoxha